Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, sot kanë kërkuar zbatim të një vendimi të marrë vitin e kaluar për hapjen e urës mbi Ibër.
φArben Dashevci njohës i sigurisë tha se është optimist sa i përket aspektit të sigurisë nëse lirohet ura, e që sipas tij nuk do të ketë pompozitet sepse është Policia e Kosovës që do të kujdeset siç është kujdesur pas rastit të Banjskës dhe se nuk pret që qytetarët do të krijojnë tensione, madje asnjë tension të vetëm.
Ai tha në “Lajmet e Fundit” në RTK se tash e 8 muaj nuk ka incidente në këtë pjesë të vendit, andaj pritet që të lëshohet kjo urë ashtu siç ka ndodhur në Berlin ose në Stokholm ose ku do tjetër duke theksuar se urat janë për bashkim dhe assesi për ndarje.
Ai tha se reagimet e Bashkimit Evropian për çështjen e urës është për shkak të ndjeshmërisë të tensioneve që kanë qenë.
“Unë jam i prirur të besoj që organet tona shtetërore, domeni politik do të koordinohet me Bashkimin Evropian dhe NATO-n që kjo liri e kësaj ure të shkojë shumë qetë e graduale, sepse ende nuk e dimë datën, por jam optimist dhe besoj që do të ketë koordinim, sepse organet e sigurisë kanë sjellë sigurinë, dhe se nuk asnjë argument të vetëm që kjo urë mos të funksionojë dhe me këtë nuk do të ndodhë ndonjë mrekulli vetëm se do të lëshohet dhe qytetarët do të kenë afinitetin që të bashkohen dhe jo më të ndahen, dhe të hiqet ajo parulla e keqe që kjo urë ka qenë vetëm për ndarje, tash do të shërbejë për bashkim. Do të ketë koordimin sepse ka siguri, kur ke siguri e ke ekonomin, tregtinë, lirinë e lëvizjes, lirinë e mallrave”, tha Dashevci.