Mësueses Remzije Lezi nga Reshtani i Suharekës tashmë i është shqiptuar vendimi për moslejimin e ushtrimit të profesionit të saj si mësuese në shkollën “Flamuri i Arbërit” për shkak të shamisë.
Insajderi ka kontaktuar me drejtorin e drejtoratit të arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani dhe i njëjti tha se mësuesja mund ta vazhdojë mësimin pa mbulesë kurdo.
I kontaktuar nga Insajderi, Bajselmani tha se Këshilli Drejtues ka vendosur për kodin e veshjes e jo për largimin e saj.
“Këshilli i drejtues ka vendos për formën e veshjes, jo për largim se këshilli ska kompetencë me e largu, prej pune apo me marr dikë në pune, është organ qe vendos edhe me rregullore të komunës po edhe duke u bazu në udhëzime të ministrisë së arsimit vendos për formën e veshjes”, tha drejtori.
Ai tha se edhe nxënësit nuk i rrinin në klasë mësueses me shami, dhe se e njëjta mund ta fillojë mësimin kurdo pa shami, sepse ata kanë caktuar diçka të tillë.
“Smujn me e largu për formën e veshjes kan marre vendim kjo na pengon edhe si rrin fmija në klasë, ata e din edhe vet. Kurdo mund ta filloj mësimin pa veshjen”, tha tutje Bajselmani për Insajderin.
I njëjti shtoi se sipas tij, Lezi ka qenë e përkrahur e madje edhe e privilegjuar.
“Kurdo mund ta filloj mësimin pa veshjen, ajo u kan e privilegjume e kemi përkrah në normë, sepse është e vejë, në regjistrimin e orëve gjithkund e kena përkrah po tash e ka zgjedh qat formë, ne i urojmë shëndet”, përfundoi Bajselmani.