Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka dhënë kumtin se nga sot është proceduar në konsultim publik Draft Strategjia për Drejtësi Tranzicionale.
Haxhiu në Facebook tha se Strategjia për Drejtësi Tranzicionale dhe themelimi i Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, janë objektivat kryesore që si Ministri e Drejtësisë po i realizojnë gjatë këtij mandati qeverisës.
“Strategjia për Drejtësi Tranzicionale dhe themelimi i Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë janë objektivat kryesore në kuadër të ballafaqimit me të kaluarën tonë të cilat si Ministri e Drejtësisë po i realizojmë gjatë këtij mandati qeverisës. Marrë parasysh rëndësinë e këtij dokumenti strategjik, ju bëj thirrje të gjithëve që deri me datë 2 qershor 2023 të dërgoni në emailin zyrtar komentet, sugjerimet apo rekomandimet e juaja, të cilat do të adresohen nga Grupi Punues i ngarkuar me hartimin e kësaj Strategjie. Qëllimi i Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale është krijimi i një platforme strategjike nëpërmjet së cilës Kosova synon realizimin e të drejtave të viktimave për gjetjen e së vërtetës për të kaluarën, drejtësinë, reparacionet, dhe garantimin e mos-përsëritjes të krimeve nga e kaluara”, tha ajo.
Tutje Haxhiu tha se Draft Strategjia është hartuar nëpërmjet konsultimeve publike me grupet e viktimave të luftës, institucionet relevante dhe grupet e tjera të interesit.
“Në bashkëpunim me Integra dhe NSI, janë organizuar 30 fokus grupe me viktimat dhe përfaqësuesit e tyre nga të gjitha komunitetet, gratë, të rinjtë dhe studentët, punonjësit e sektorit privat, aktivistët e të drejtave të njeriut, punonjësit e arsimit, intelektualët, gazetarët, komunitetet fetare në Kosovë, profesionistët ligjor, sektori i sigurisë, dhe punëtorët social.Numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në fokus grupe është 465, me pjesëmarrje të barabartë mes grave dhe burrave. Ky proces është mbështetur nga Ambasada Holandeze dhe përveç kontributit të Grupit Punues, drafti është konsultuar edhe me ekspertë ndërkombëtar të drejtësisë tranzicionale, mbështetur nga Ambasada Zvicerane”, tha tutje ajo.
Kurse Draft Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale mund ta gjeni në këtë link.