Pas kërcënimeve të fundit nga Serbia se situata në Kosovë mund të përshkallëzohet shumë shpejt, anëtarët e komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Kosovës, kanë thënë se këto deklarata duhet të merren seriozisht.
Menjëherë pas ngritjes së aktakuzës për kryeterroristin Millan Radojiçiq dhe grupin e tij, të cilët kryen sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, nisën kërcënimet nga Serbia.
I pari ishte Aleksandar Vulin, ish drejtor i BIA-së serbe dhe aktualisht zëvendës kryeministër në qeverinë e Serbisë, i cili tha se situata në Kosovë mund të përshkallëzohet së shpejti.
E pas tij, kërcënim të ngjashëm bëri edhe Ana Bërnabiq, kryetare e Kuvendit serb.
Këto reagime nga Beogradi zyrtar po i shohin shqetësuese Komisioni për Siguri në Kuvendin e Kosovës.
Rashit Qalaj nga PDK tha për tëvë1 se Serbia është duke tentuar të krijojë destabilitet në veri.
“Ekziston mundësia që shteti i Serbisë të tentojë edhe më tutje të instrumentalizojë popullatën lokale atje e kom fjalën për komunitetin serb, dhe t’i shkaktojë ndonjë incident apo disa incidente të ndryshme në mënyrë që situata me të vërtetë të dalë nga binarët. Institucionet tona të sigurisë duhet t’i kenë informatat dhe të përgatiten paraprakisht dhe mos t’i gjejnë në befasi, të mos ketë vëmendje vetëm në veri por edhe pjesë tjera ku kemi popullatë të përzier apo popullatë të komunitetit serb që jetojnë në fshatrat e ndryshme” , ka thënë Qalaj.
Krejt kjo sipas Enver Dugollit nga LVV-ja, po vjen pasi që Serbia nuk po shkëputet nga Moska.
“Deri sa kemi një Serbi e cila nuk shkëputet dot nga Rusia, deri sa kemi një Vuçiq dramatik i cili tenton me çdo kusht të instrumentalizojë qytetarët serbë në Kosovë, deri sa kemi një Vulin i cili përkundër asaj çfarë ka bërë e çfarë ka tentuar të bëjë sa ishte shef i inteligjencës pra i BIA-së tani në cilësinë e zv.kryeministrit, i cili udhëton për çdo ditë edhe e koketon për çdo ditë me Rusinë, atëherë nuk është asgjë e papritur. Pra synimet e Serbisë janë destabilizimi i situatës së sigurisë në Kosovë e rajon”, thotë Dugolli.
Deputeti nga partia në pushtet theksoi për Tëvë1 se institucionet e sigurisë në vend, janë duke i trajtuar këto kërcënime me seriozitet.
“Institucionet tona, edhe këto kërcënime, këto synimet e tyre i marrin seriozisht dhe i bëjnë të gjitha përgatitjet që ta mbrojmë lirinë tonë, ta mbrojmë sovranitetin, integritetin, ta mbrojmë rendin, paqen, ligjin dhe kështu me radhë”, thotë Dugolli.
Të premten, Vuçiq paraqiti shtatë kërkesa për çështjen që siç tha ai të “problemit të serbëve të Kosovës”, duke kërkuar ndër të tjerash formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.