Deputeti i Parlamentit të Iranit, Rafsanjan Hossain Jelali, tha se parlamenti po punon për aplikimin e detyrueshëm të shamisë dhe se gjobat do të rriten për ata që nuk respektojnë ligjin aktual, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të publikuar në faqen e lajmeve “Asriran”, Jelali, i cili njihet për afërsinë e tij me konservatorët, iu drejtua demonstruesve pro-regjimit që mbështesin aplikimin e detyrueshëm të shamisë në qytetin e Kumit.
“Lëvizja rebele tani është nën kontroll. Por këtë herë rebelët kaluan në një praktikë tjetër. Ata u thonë mbështetësve të tyre ‘shkoni hiqni shaminë që të arrijmë qëllimin tonë’. Ky (veprimi pasiv) nuk është më pak i rrezikshëm se demonstratat në rrugë. Do të rrisim dënimin për mosbindje ndaj shamisë”, ka thënë Jelali.
Duke informuar për punën e ligjit për shaminë që ka nisur në parlament ditët e fundit, Jelali tha se “heqja e shamisë do të thotë shembje e regjimit iranian”.
Duke pretenduar se Mahsa Amini ishte zgjedhur si justifikim për të rrëzuar regjimin, ai tha: “Nuk është e mundur që ne të tërhiqemi nga rregulli i shamisë. Të bëjmë një hap prapa nga kjo do të thotë të tërhiqemi nga Republika Islamike. Jemi në koordinim me Ministrinë e Brendshme dhe autoritetet gjyqësore”.
Jelali, i cili nuk përmendi detajet e ligjit të ri në fjalë, tha se ky ligj do të hyjë në fuqi në ditët në vijim.
Kryeprokurori i Iranit Mohammad Jafer Montazeri tha në një deklaratë më 2 dhjetor se Këshilli i Lartë i Revolucionit, nën Parlamentin dhe Presidencën, po punonte për çështjen e “shamisë” dhe se rezultati do të shpallet së shpejti.
Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila vdiq pasi u ndalua nga patrullat e Irshadit të njohura si “policia e moralit” në Teheran më 13 shtator, ndezi protesta kundër qeverisë së vendit.