Enis Kervan, deputet nga radhët e partisë turke në Kosovë KDTP (KOSOVA DEMOKRATIK TÜRK PARTISI), në fjalën e tij, kërkoi nga Qeveria e Kosovës, t’iu kushtojë vëmendje më të madhe disa kategorive sociale, shkruan Kosova Post.
“Pandemia COVID-19, si sëmundje e nivelit global, përveç problemeve shëndetësore, ka shkaktuar dëme socio-ekonomike edhe në Republikën e Kosovës. Bazuar në këtë, parandalimi kontrolli dhe menaxhimi i pandemisë në vendin tonë, duhet të mbetet prioriteti kryesor” – tha ndër të tjera Kervan.
“Sot po flitet për uljen e shtesave të pensionisteve miratuar nga qeveria e kaluar. Natyrisht që pensionistët përbëjnë një kategori e cila është përballur përherë me vështirësi ekonomike e sociale” – shtoi më tutje ai, duke kërkuar që qeveria t’i ketë nën kujdes ata, sidomos në këtë periudhë të vështirë të pandemisë.
Kervan ka kërkuar që përveç hapave emergjent në lidhje me çështjen e skemave sociale, qeveria duhet të mendojë edhe në planin afatgjatë, në mënyrë që mirëqenia e qytetarëve, ta arrijë një nivel të kënaqshëm.
Deputeti nga radhët e pakicave, po ashtu ka kërkuar që politikat sociale, t’i përfshijnë hapat qenësor drejt përmirësimit të skemave sociale jo vetëm për pensionistët por edhe për punëtorët shëndetësor, për punëtorët e institucioneve të sigurisë, dhe grupeve të tjera që rrezikohen më shumë nga kriza e shkaktuar nga pandemia./KosovaPost/