Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka theksuar se këtë javë do të diskutojë në Zvicër për takimin e fundit mes palëve, duke thënë se fokusi është në dakordimin e arritur.
“Për t’u kthyer në fushën time kryesore të punës, do ta nis javën në Gjenevë të Zvicrës me diskutime të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Kjo javë gjithashtu do të fokusohet plotësisht në ndjekjen e asaj që u ra dakord gjatë takimit tonë të fundit të kryenegociatorëve”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social Facebook.
Lajçak, pas takimit kishte bërë të ditur se në fokus ishte avancimi dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën e Normalizimit.
“Ndërsa ne nuk kemi bërë hapa përpara për këtë, unë jam optimist për disa përparime të bëra në disa çështje të tjera kryesore, të cilat do t’i vazhdojmë në javët e ardhshme”, ka theksuar Lajçak.