Është viti 2019. Oleksiy Arestovych, njeri i shërbimeve, i asaj pjese që njihet si “shteti i thellë”, jep një deklaratë prej pak më shumë se 90 sekondash. Në atë kohë, shumë politikanë joseriozë e shikojnë me përbuzje. Natyrisht, nuk mungojnë as batutat e shumta në emër të tij, me arsyetimin se bëhet fjalë për një figurë të papunë që dëshiron ta luajë Nostradamusin. Duke qenë se në biografinë e tij shkruan se është edhe njëfarë aktori, doza e humorit mbi të rëndon edhe më shumë. Por, sot, tre vjet më pas, po i bie se ai ka pasur shumë të drejtë në atë që e ka parashikuar. Aq më tepër kur dihet se ai ka qenë, e ndoshta ende është, njëri ndër figurat më të afërta të Presidentit aktual të Ukrainës, Vladimir Zelensky. Por, çfarë thotë Arestovych në ato 90 sekonda? “Do të zhvillohet një operacion i madh ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës. Ata do ta rrënojnë infrastrukturën tonë dhe do të bëjnë dëmtime të mëdha në territorin tonë”. Pas këtij paralajmërimi kaq ogurzi, gazetarja, me gjasë me një naivitet të madh, sikurse shumica që mendonin në muajin shkurt të këtij viti, e pyet nëse kjo i bie se Rusia do të ketë konfrontim të drejtpërdrejtë me NATO-n? Përgjigja e protagonistit është edhe më interesante: “Jo, jo kundër NATO-s, sepse ata ndërhyrjen në Ukrainë do ta bëjnë para se ne të bëheni pjesë e NATO-s. Me një probabilitet prej 99 për qind çmimi i anëtarësimit tonë në NATO është konfrontimi i madh ushtarak me Rusinë”. Ma pas ai tregon se si forcat ruse fillimisht do t’i pushtojnë këto territore, që aktualisht i kanë pushtuar, dhe se më pas Moska do ta humbë luftën, ndërsa pas kësaj Ukraina do të bëhet pjesë e NATO-s. Dhe, krejt në fund, ai thotë se kjo luftë do të zhvillohet në periudhën 2020-2022.
Pas kësaj, të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur. Të vetmen dilemë rreth këtij parashikimi e kemi nëse Ukraina do ta fitojë luftën, që në përkthim i bie se Rusia do të gjunjëzohet, ndërsa Putini do të vritet apo do të arrestohet si kriminel lufte?! Apo, në anën tjetër, kriza, që tashmë po e dridh Europën, do t’i gjunëzojë shumë ose disa shtete europiane dhe kështu “rrëfimi” i “sigurimsit” të Ukrainës do të ngelet përgjysmë?!
Në çfarëdo varianti, efekti i luftës së sotme po shihet qartë. Europa, por edhe Rusia, të paktën edhe gjysmë shekulli pas kësaj që po ndodhë në Ukrainë, nuk do të jenë më të njëjta.
Europa, pas kësaj lufte, duhet të fillojë të mendojë seriozisht e të debatojë në qarqe akademike se politika e saj eurocentrike, me doza të mëdha të megalomanisë, ka marrë fund. Solidariteti, në emër të të cilit është ndërtuar koncepti i Bashkimit Europian, më shumë po duket se është një frazë boshe sesa realitet. Vendimet e marra në Bruksel lidhur me gazin dhe naftën ruse, gjatë kësaj periudhe, u pa se dilnin përmes shumë përplasjeve dhe pakënaqësive, duke qenë gjithmonë në limit të tradhtisë mes partnerëve. Në fakt, po të mos ishte mainstream-media, që i kontrollon masat, gjërat do të merrnin kahe krejt tjetër. Por, kjo nuk domethënë se ribërja brenda kontinentit nuk do të ndodhë dhe se kjo mund të shkojë në favor të Putinit, i cili, me Kinën në heshtje, po duket se do të bëje çmos të hapë një erë të re të funksionimit të rendit të ri botëror.
Sot peshorja në botë ka një lavjerrës që po luhatet. Nëse deri para 20 vjetësh më shumë se gjysmën e GDP-së së botës e kontrollonin shtetet që janë të rreshtuara në “orbitën perëndimore”, sot, në vitin 2022, e me gjasë në 20 vitet e ardhshme edhe më shumë, GDP-ja po “rrëshqet” drejt Azisë.
I pari që e pati rrokë seriozitetin e këtij ndryshimi kaq drastik ishte ish presidenti amerikan, Donald Tramp. Atë mund ta akuzojnë për shumëçka, por një gjë nuk mund t’i mohohet – nuhatja e rrezikut që i vjen Perëndimit nga Lindja.
Eurocentrikët asnjëherë nuk kanë mundur të besojnë se në konfliktin në Ukrainë do të ngelin spektatorë dhe në vend të tyre do të inkuadrohen aktorë të tjerë. Ata asnjëherë nuk kanë mundur të besojnë se Turqia, me dronët e saj, do ta bëhet kryefjala në luftën që tashmë po zgjatë tetë muaj. Apo se drithi në gjithë botën do të sigurohet me ndërmjetësim të Ankarasë. Po kështu, Brukseli asnjëherë nuk ka mundur të besojë se India nuk do t’ia varë askujt dhe do të thotë se, “ne mbajmë qëndrim neutral”. Apo se Izraeli nuk do t’i acarojë marrëdhëniet me Rusinë për shkak të Ukrainës dhe se dronët e Iranit, që duken si lodra kalamajsh, do ta shkatërrojnë thuajse gjysmën e rrjetit energjetik të Ukrainës. Se OPEC-u (lexo Arabia Saudite) nuk do të brengoset se Uashingtonit e Brukselit u ngelet hatri se e kanë shkurtuar prodhimin e naftës ose se Kina, megjithatë, nuk e ka ndërmend ta rrënojë koalicionin me Kremlinin për shkak të kërcënimeve të Presidentit të Francës ose kancelarit gjerman. Thjesht, bota po ndryshon.
Dhe, natyrisht, në gjithë këtë mish-mash parashtrohet pyetja se ku jemi ne të vegjlit? Për fat të mirë, po duket se Kosovës edhe një herë po i renditen gurët, ngjashëm si në vitin 1999. Sot SHBA-ja po bën çmos ta mbyllë çështjen e pavarësisë dhe t’ia mbylle çdo hendek Rusisë që i mundëson shtrirje në këtë gjeografi. Fuqia e Uashingtonit do t’i leverdisë Kosovës në këto rrethana gjeopolitike, por kjo nuk do të thotë se kryeministri, Albin Kurti, dhe Presidentja, Vjosa Osmani, nuk duhet t’i bëjnë detyrat e shtëpisë.
Politika globale po ndryshon. Dimri do të jetë shumë i ftohtë, si fizikisht ashtu edhe politikisht.
IMPRESUM
Kosova Post është Agjenci e Lajmeve me seli në Prishtinë. Është themeluar në vitin 2016, duke pasur për mision informimin e drejtë e të paanshëm.
Për rrjedhojë, prej vitesh, Kosova Post, është shndërruar në një dritare të besueshme, nëpërmjet së cilës informohen qytetarët.
Zhvillimet politike në vend, rajon e botë, janë në fokusin kryesor të agjencisë. Por nuk anashkalohen as fushat e tjera si: kultura, ekonomia, sporti, shëndetësia, shkenca, teknologjia informative etj.
Emancipimi i masës, nëpërmjet ngritjes së vetëdijes, sipas politikave redaksionale, arrihet vetëm duke mos i konsideruar lexuesit dhe ndjekësit e agjencisë, si masë klikuesish. Kjo ka qenë dhe ka mbetur premisa themelore e politikave të redaksisë.