Vetëm sot janë vrarë rreth 120 persona, gjatë protestave kundër grushtit të shtetit në Mianmar, transmeton Kosova Post.
Ky është bilanci më i përgjakshëm i regjistruar që pas grushtit të shtetit të fillimit të shkurtit, që rrëzoi qeverinë e Aung San Suu Kyi.
Mes viktimave mendohet se ka edhe dy fëmijë: 5 dhe 13 vjeç.
“Është dita e turpit kjo e sotmja”, tha një zëdhënës i CRPH, një grupim kundër juntës.
Një ditë më parë, në televizionin shtetëror, ushtria kishte paralajmëruar protestuesit se mund të goditeshin “kokë dhe shpinë”, nëse krijonin trazira në Ditën e Paradës Ushtarake. Pavarësisht paralajmërimit, mijëra persona zbritën në rrugët e qyteteve kryesore për të protestuar.
Bashkimi Evropian e dënoi ashpër represionin e protestave në Mianmar, duke e quajtur ditën e sotme si “dita e terrorit dhe pandershmërisë”.
“Vrasja e civilëve të paarmatosur, përfshi fëmijë, është akt i pajustifikueshëm”, tha delegacioni i BE-së në Mianmar.