Justin Bieber kryeson listën e këtij viti të nominimeve në MTV Video Music Awards 2021.
Ylli i pop-it ndiqet nga artistët Megan Thee Stallion, Billie Eilish, BTS, Doja Cat, Drake, Giveon, Lil Nas X dhe e nominuara për herë të parë, Olivia Rodrigo.
Artisti kanadez është nominuar për shtatë çmime, duke përfshirë “Videoja muzikore më e mirë e vitit”, “Artisti më i mirë i vitit, Kinematografia më e mirë”, “Regjia më e mirë”, “Kënga më e mirë pop” dhe “Bashkëpunimi më i mirë”, për bashkëpunimin me Peaches.
Megan Thee Stallion është e dyta me gjashtë nominime.
Nominimet vijnë kryesisht nga kënga e saj e suksesshme “WAP”, e cila e ka nominuar atë në kategoritë: “Videoja muzikore më e mirë e vitit”, “Artisti më i mirë i vitit”, “Bashkëpunimi më i mirë” dhe “Kënga më e mirë hip-hop”.
Eilish, BTS, Doja Cat, Drake, Giveon, Lil Nas X dhe Rodrigo secili kanë nga pesë nominime.
MTV Video Music Awards 2021, do të mbahet në New York, duke u transmetuar nga Barclays Center në Brooklyn më 12 shtator.
Nga shqiptaret me famë botërore, e vetmja që ka arritur të nominohet është këngëtarja Dua Lipa, e cila është nominuar në çmimet “Kënga më e mirë e vitit”, “Bashkëpunimi më i mirë”, “Kënga më e mirë latine” dhe “Regjia më e mirë”.
Shfaqja do të transmetohet njëkohësisht në CMT, Comedy Central, Logo, MTV2, Nickelodeon, Paramount Network, Pop, TV Land, VH1 dhe The CW Network.
Ndërsa rastet e Covid vazhdojnë të rriten në shkallë vendi, MTV thekson se shëndeti dhe siguria e artistëve, fansave, stafit dhe partnerëve mbeten përparësia numër një, dhe ajo dhe Barclays Center po punojnë ngushtë me zyrtarët shtetërorë dhe lokalë për të zbatuar praktikat më të mira në mënyrë që të bashkojnë adhuruesit e muzikës nga e gjithë bota, sipas një raporti këtë javë nga Deadline.