Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” sot është finalizuar projekti i zgjatjes së pistës dhe ngritjes së kapacitetit të ndriçimit. Zgjatja e pistës nga 2500 metra në 3040 metra dhe instalimi i pajisjeve të sofistikuara për asistencë në aterimin e aeroplanëve do të mundësoj që të eliminohen telashet për anulimin e fluturimeve për shkak të mjegullës, përcjell KosovaPost.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu e ka konsideruar si moment të rëndësishëm zgjerimin e pistës dhe investimet që janë bërë pasi sipas tij, në të ardhmen kjo do të mundësojë edhe lidhjen e Kosovës me transporte të tjera.
Aliu tha se përmes të gjitha pajisjeve të instaluara po eliminohet mundësia e anulimit të fluturimeve për shkak të mjegullave.
“Është një moment i rëndësishëm meqenëse përfundimi i këtij projekti ka një impakt të rëndësishëm në transportin e përgjithshëm ajror në vendin tonë dhe krijon kushte shumë të rëndësishme për të ardhmen edhe për transportin e mallrave dhe për lidhjen e transporteve të tjera në vendin tonë e që na shpie drejt sistemeve multimodale të transporteve. Pista që është 3040m e gjatë tashmë është në shfrytëzim e sipër dhe janë instaluar pajisjet e sofistikuara për asistencë në aterimin e aeroplanëve gjatë kohës me mjegull. Pra, çka kemi të instaluar konkretisht është sistemi i ri i radiokomunikimit, janë pajisjet moderne të navigimit për aterim, janë dizajnuar dhe po aplikohen procedurat e reja aeronautike së bashku me hartat aeronautike është bërë trajnimi i personelit për mirëmbajtje janë instaluar pajisjet më të meteorologjike që kanë ndikim të drejtpërdrejt në mundësinë të shfrytëzimit të sistemit ILS, të kategorisë 3B e që mundëson aterimin autonom të aeroplanëve gjë që do rezultojë në minimum dhe mos të themi se do të zhduk totalisht anulimet që kanë pasur për shkak të mjegullës të dendur në aeroport”, theksoi ai.
Përmes këtyre investimeve, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se po shkurtohen rrugët ajrore dhe po reduktohen humbjet financiare.
“Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ është në nivel të konkurrueshmërisë në nivelin e rajonit… Kemi bwrw shkurtimin e rrugëve ajrore dhe reduktimin e humbjeve financiare dhe koston financiare të fluturimeve që bëhen në vendin tonë. Aktualisht është duke u shfrytëzuar hyrja në territorin e Kosovës përmes territorit të Shqipërisë kur bëhet fjalë për fluturimet që bëhet fjalë që vijnë nga perëndimi… Gjë që bënë që fluturimet të shkurtohen për 15-20 minuta. Kjo ka rëndësi të veçantë po ashtu përpos që nuk do të kemi anulim të fluturimeve për shkak të mjegullës përpara ka një rendësi edhe për çështje të sigurisë pasi që pista me të gjitha pajisjet moderne të instaluara siguron kushte të mira në mënyrë që edhe të evitoj çdo lloj rreziku që mund të ketë në teren… Ky Aeroport me këtë pistë me këto pajisje dhe operacionalizim të këtyre pajisjeve do të mund të përdoret edhe për transportin e mallrave kargo pasi që do të mund të aterojnë të gjitha llojet e aeroplanëve”, u shpreh Aliu.
Gjeneral majori komandanti i KFOR-it, Ferenc Kajari u shpreh se përmirësimet e infrastrukturës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë hap pozitiv për avancimin e industrisë së aviacionit në Kosovë.
Kajari po ashtu theksoi përkushtimin e KFOR-it për normalizimin e hapësirës ajrore në Kosovë.