Në një goditje të dukshme ndaj liderit francez, presidenti rus Vladimir Putin tha: “Ka ende njerëz që duan të kthehen në kohën e Napoleonit, duke harruar se si përfundoi”.
Macron iu kundërpërgjigj, duke e quajtur presidentin rus një “imperialist” që kërkoi të rishkruante historinë, shkruan Le Monde.
Bëhet e ditur se këto deklarata vijnë pas sugjerimit të Macronit për të shtrirë mbrojtjen bërthamore të Francës në vendet e tjera evropiane.
Ndryshe, Napoleon Bonaparte pushtoi Perandorinë Ruse në 1812 në një fushatë ushtarake katastrofike gjashtëmujore që përfundoi me fitoren ruse.
“Napoleoni kreu pushtime”, tha Macron.
“E vetmja fuqi perandorake që shoh sot në Evropë është Rusia”, shtoi ai.
“Ai është një imperialist që kërkon të rishkruajë historinë”, përfundoi lideri francez.
Raportohet se Macron e quajti Rusinë një “kërcënim për Francën dhe Evropën” dhe tha se Franca ishte “e shqetësuar në mënyrë legjitime” për ndryshimin e pozicionit të Shteteve të Bashkuara për konfliktin në Ukrainë nën Trumpin.
Macron gjithashtu ripohoi se forcat ushtarake evropiane mund të dërgohen në Ukrainë nëse nënshkruhet një marrëveshje paqeje për të garantuar “respektimin” e një marrëveshjeje.