“Kolumbia i bashkohet grupit të vendeve aleate që do të ofrojnë mbështetje ndaj SHBA-së që personat me origjinë afgane të qëndrojnë këtu përkohësisht”, tha presidenti kolumbian, Duque, transmeton Kosova Post.
Kolumbia njoftoi se do të lejojë 4 mijë afganë që kanë punuar për SHBA-në në Afganistan të qëndrojnë përkohësisht në vend derisa të përfundojnë procedurat e tyre të vizave, shkruan AA.
Sipas lajmeve në shtypin kolumbian, mësohet se presidenti Ivan Duque ka miratuar qëndrimin në vend deri në përfundimin e procesit të vizave të afganëve që kanë punuar për SHBA-në.
Ai ka vënë në dukje se shpenzimet e afganëve që do të qëndrojnë në vend do të përballohen nga SHBA-ja. “Kolumbia i bashkohet grupit të vendeve aleate që do të ofrojnë mbështetje ndaj SHBA-së që personat me origjinë afgane të qëndrojnë këtu përkohësisht deri në përfundimin e regjistrimit dhe dokumenteve të migracionit”, tha Duque.
Ambasadori i SHBA-së në Bogota, Philip S. Goldberg duke falënderuar për mbështetjen e Kolumbisë tha se “Ky është një strehim i sigurt për qytetarët. Ju falënderoj që i jeni përgjigjur pozitivisht thirrjes tonë për të ofruar ndihmë humanitare për qytetarët afganë që kanë punuar bashkë me ne për të përhapur demokracinë dhe lirinë”.
Përderisa nga zyrtarët përkatës nuk është bërë ndonjë deklaratë lidhur me datën se kur do të mbërrijnë afganët në Kolumbi, njoftohet se pas qëndrimit në Kolumbi afganët do të kalojnë në SHBA për rregullimin e statusit të tyre të migrantit.