Shkruan: Gent Carabregu
Në vitin 2007, ndërsa në Vjenë po zhvilloheshin negociatat për statusin politik të Kosovës, dy të majtë radikalë serbë zhvilluan një polemikë interesante në faqet e revistës së majtë amerikane Z Magazine. Debati kishte në qendër pyetjen: Çfarë do të duhej të ishte qëndrimi i të majtës radikale serbe ndaj çështjes së Kosovës? Njëri nga debatuesit ishte Andrej Grubaçiq (Andrej Grubačić), një anarko-sindikalist i frymëzuar nga Bakunini, Kropotkini, e të tjerë mendimtarë të krahut anarkist të së majtës; tjetri ishte Dragan Pllavshiq (Dragan Plavśić), një marksist relativisht ortodoks, i prirur nga trockizmi. I pari mbronte tezën që Ballkanit s’ka pse i duhet edhe një shtet tjetër i vogël i kontrolluar nga një perandori e largët, dhe se e majta serbe duhet të angazhohet për një federatë ballkanike, ashtu siç e kishin konceptuar mendimtarët e majtë ballkanikë Svetozar Markoviq dhe Georgi Dimitrov. Përkundrazi, Pllavshiqi argumentonte se asnjë federatë ballkanike e qëndrueshme dhe demokratike nuk do mund të formohej pa njohjen e pakushtëzuar të të drejtës së shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje, që do të thotë pa njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Rrjedhimisht, sipas tij, detyra e së majtës serbe do duhej të ishte angazhimi për njohjen e pakushtëzuar të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë, njësoj siç kishte vepruar gjenerata e socialistëve radikalë serbë të fillimshekullit të njëzetë, e cila asokohe ishte angazhuar për njohjen e shtetit shqiptar të shpallur më 28 nëntor 1912. Përndryshe, gjithë sipas Pllavshiqit, shqiptarët e Kosovës nuk kanë pse t’i besojnë një projekti federativ ballkanik që nuk i trajton si të barabartë. Ja Pllavshiqi me fjalët e tij:
“Më lejoni t’ju ofroj vetëm një shembull me vend të kësaj mënyre të të menduarit. Më 1913, kur Austro-Hungaria dhe Italia kërkonin të themelonin një shtet të pavarur shqiptar për të penguar qasjen e Serbisë në detin Adriatik, socialistët serbë vendosën, siç njëri prej tyre do shkruante më vonë, ‘që të respektonin pa kushte pavarësinë e Shqipërisë dhe që të angazhoheshin për integrimin e saj si anëtare e pavarur e federatës së republikave ballkanike.’ Me guxim të madh, socialistët serbë kundërshtuan pushtimin brutal të Shqipërisë veriore nga ana e Serbisë dhe kuptuan asokohe atë që e majta radikale serbe duhet të kuptojë edhe sot: se vetëm një politikë konkrete e miqësisë ndaj shqiptarëve—shkurt, respektim i të drejtës së tyre për vetëvendosje—mund të ndërtojë besimin që nevojitet për të krijuar një federatë ballkanike. Për më tepër, ata e kishin kuptuar edhe një gjë tjetër shumë të rëndësishme: se vetëm një politikë konkrete e miqësisë, duke mbyllur të çarën etnike në mes të serbëve dhe shqiptarëve, do të mund të parandalonte fuqitë e mëdha perandorake nga ndërhyrja dhe drejtimi i aferave ballkanike në dëm të popujve ballkanikë si tërësi.”
Pra kryeministri shqiptar Edi Rama po na del as i majtë as shqiptar. Qëndrimi i tij më i prapambetur se ai i të majtës radikale serbe të Dimitrije Tucoviqit (dje) dhe Dragan Pllavshiqit (sot). Në kundërshtim të plotë më qëndrimin e drejtë të këtyre dyve, ky po i thotë Kosovës hajde në federatën ballkanike si njësi administrative e Serbisë.