Drejtori i Drejtorisë së Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame, Ekrem ef. Simnica, mori pjesë në manifestimin qendror me rastin e përurimit të xhamisë shqiptare “Tulipan”.
Ky manifestim u mbajt nën moton “Një falënderim për të gjithë kontribuuesit”, në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për të gjithë donatorët dhe bamirësit që kanë marrë pjesë në realizimin e projektit madhështor të xhamisë “Tulipan”.
Në këtë eveniment, përpos një numri të madh besimtarësh, morën pjesë edhe autoritetet komunale dhe ato fetare të Reinachut, kryetari i KMShZ-së, Mehas ef. Alija, si dhe përfaqësuesit e bashkësive fetare nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori Simnica, uroi dhe përgëzoi të gjithë kontribuuesit për ndërtimin e kësaj xhamie, duke falënderuar kështu kryetarin, imamin, Kryesinë dhe xhematin e kësaj xhamie për angazhimin dhe të arriturat e tyre në këtë periudhë.
“Kjo xhami përpos për kryerjen e namazit, do të shërbejë edhe si një qendër edukative-arsimore për komunitetin dhe fëmijët tanë shqiptarë që jetojnë në diasporë. Duke e ditur se xhamitë luajnë rolin e afrimit mes myslimanëve dhe rrezatojnë paqe, siguri, tolerancë, respekt ndaj tjetrit, për të jetuar të gjithë në paqe e lumturi, lus të Madhin Zot që t’i shpërblejë të gjithë ata që kontribuuan në ndërtimin e kësaj xhamie, dhe besojmë se kjo xhami do të reflektojë vetëm dritë, paqe, lumturi, harmoni, ardhmëri, besim reciproke, bashkëjetesë të komuniteteve në mes vete” – tha ndër të tjera drejtori Simnica.
Me këtë rast, drejtori Simnica, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, për kontributin dhe angazhimin e dhënë me rastin e ndërtimit të kësaj xhamie, i dorëzoi një mirënjohje Kryesisë së xhamisë “Tulipan”.