Anëtari i lartë dhe bashkëthemeluesi në Institutin për Kërkime Zhvillimore Riinvest, Muhamet Mustafa, ka reaguar pas publikimit të lajmit, që e përfshin atë në emaile sekrete mes ministres së Serbisë, kreut të BIA-s, dhe shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurtit, Luan Dalipi.
Në një postim në Facebook, Mustafa ka demantuar portalin New Born dhe Fitim Çekun, duke e cilësuar lajmin si të pavërtetë dhe montim të papërgjegjshëm, përcjell Bota sot.
Ai ka ftuar organet përgjegjëse që të marrin masat përkatëse për burimin e këtij “montimi”.
“Deklaratë për opinion’
E tëra e publikuar sot nga portali New Born dhe Fitim Çeku lidhur me emrin tim dhe prej aty edhe në Insajder e portale të tjera, është e pavërtetë, e papërgjegjshme dhe denigruese.
Sapo u njoftova lidhur me një publikim në portalin New Born me autorësi të Fitim Çekut. Me të lexuar, deklaroj me përgjegjësi për opinionin se në atë publikim nuk ka asgjë të vërtetë lidhur emrin tim! I tërë teksti është montim i papërgjegjshëm ku me ditë prej kujt.
Ftoj organet kompetente që ta shohin burimin e këtij montimi dhe të marrin masat përkatëse. Me një konstrukt të çuditshëm, emri im është keqpërdor për interesa të atyre që nuk duan ta shohin Kosovën mirë”, ka shkruar Mustafa.
Në artikull, Mustafa cilësohet si njeriu i afërt i presidentes Vjosa Osmanit dhe Luan Dalipit.
Aty thuhet se, kreu i BIA-s sipas emaileve sekrete është marrë vesh me qeverinë e Kosovës përmes këtyre personave, që ta emërojnë kryeinspektorin e AKI-së Kujtim Shalën që më pas ata të kenë nën kontroll AKI-në që të mos përgjohen gjatë takimeve.