Një rrugë në Tiranë do të bartë emrin e veprimtarit “Remzi Hoxha”. E, këtë e ka mirëpritur, Ardian Hoxha, djali i veprimtarit Remzi Hoxha.
Ai thotë se është krenar se në Tiranë një rrugë do të bartë emrin e babait të tij.
Tutje, ai ka pohuar se Remzi Hoxha u zhvendos në Shqipëri për të shpëtuar nga persekutimi i regjimit të Millosheviçit dhe për të vepruar më lirshëm nga mëmëdheu jonë, Shqipëria.
“Fatkeqësisht, më 21 tetor 1995, Remzi Hoxha u rrëmbye në qendër të Tiranës nga agjentët e SHIK-ut të presidencës së Sali Berishës. Më shumë se 28 vite më vonë, ai është ende pa një varr. Shkak i zhdukjes së tij ishte fakti që ai zbuloi informacione komprometuese për Berishën, duke përfshirë një takim të planifikuar me Presidentin serb Sllobodan Millosheviç, që do të ishte parë si tradhti ndaj çështjes shqiptare”, theksoi ai.
“Edhe Tirana emërton një rrugë për nder të babait tim Remzi Hoxha. Jemi krenarë t’ju njoftojmë se një rrugë në Tiranë tashmë ka marrë zyrtarisht emrin e babait tim, Remzi Hoxha, duke iu bashkangjitur qyteteve të tjera si Prishtina, Ferizaji, Kaçaniku, Shkupi dhe tani Tirana për të nderuar kujtimin e tij. Remzi Hoxha, i lindur në Shkup, ishte një ndërmarrës i respektuar dhe aktivist për çështjen kombëtare shqiptare në Kosovë dhe më gjerë”, shkruan Hoxha në Facebook.