Është mbajtur në Prishtinë ceremonia e emërimit të komandantit të 27-të të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), raporton Anadolu Agency (AA).
Komandanti i deritanishëm, gjeneralmajori i ushtrisë hungareze, Ferenc Kajari, në prani të krerëve institucionalë vendorë dhe ambasadorë të vendeve të huaja, ia ka dorëzuar komandën gjeneralmajorit të ushtrisë italiane Angelo Michele Ristuccia në ceremoninë e kryesuar nga admiral Stuart Munsch.
Ish-komandanti i KFOR-it Ferenc Kajari është shprehur i gëzuar për arritjet gjatë këtyre viteve sa ka qenë në udhëheqje të misionit.
Kajari ka falënderuar të gjithë për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, teksa shtoi se marrëdhëniet me institucionet e Kosovës ishin shumë të mira.
“Puna ime si komandant i KFOR-it nuk do të kishte qenë kurrë kaq e suksesshme, nëse nuk do të ishte për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe vetëmohues të stafit të KFOR-it dhe njësive vartëse. Kam pasur mbështetje të jashtëzakonshme nga Komandat Rajonale, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim”, theksoi Kajari.
Gjeneralmajori italian, Angelo Michele Ristuccia, në fjalën e tij të parë pasi mori detyrën e re, kujtoi të gjithë të rënët që ishin pjesë e KFOR-it.
Ristuccia shtoi se sakrifica e tyre meriton angazhim për të garantuar paqe, siguri dhe stabilitet.
“KFOR-i është një histori suksesi dhe ky sukses është rezultat i përkushtimit të të gjithë atyre që, politikisht dhe në terren, kanë kontribuar për stabilitetin, sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe që kanë mbështetur zhvillimin e një dialogu konstruktiv ndërmjet palëve”, tha Ristuccia.
Ai u zotua se me përkushtim të plotë do t’i përmbush detyrat e tij të përcaktuara në këtë mandat duke bashkëpunuar me faktorë relevantë të sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila mori pjesë në këtë ceremoni, falënderoi gjeneralmajor Kajarin për punën e deritanishme dhe i ka uruar mirëseardhje gjeneralmajorit Ristuccia.
Në fjalën e saj Osmani ka theksuar se gjeneralmajor Ristuccia po e fillon misionin në vendin më pro NATO-s në botë. Sipas saj, Kosova është partner i besueshëm i Aleancës Veri-Atlantike, në të cilën synon të bëhet anëtare.
“Kosova ka qëndruar gjithmonë në anën e duhur të historisë, dhe ne po e tregojmë këtë edhe një herë duke qëndruar pranë popullit të Ukrainës, tani që paqja, demokracia dhe rendi i bazuar në rregulla ndërkombëtare janë sërish nën sulm”, ka theksuar presidentja Osmani.
Gjeneralmajori i ushtrisë hungareze Ferenc Kajari ishte emëruar në pozitën e komandantit të KFOR-it më 15 tetor të vitit 2021.