Përfaqësuesi Special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach ka arritur në Qeverinë e Kosovës.
Peach si fillim do të takohet me kryeministrin e venedit, Albin Kurti.
Pas vizitës që pati në Beograd, Peach ka deklaruar se Britani përkrah zhvillimin e dialogut në mes dy shteteve.
Pas takimit me Kurtin që tashmë pritet të fillojë, emisari special i Britanisë së Madhe më pas do të takojë edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Ndryshe, kryeministri britanik Boris Johnson ka emëruar Peach si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit.
Stuart Peach më herët ka qenë në detyrën e kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, të cilin e ka mbajtur prej vitit 2018. Më parë ai ka shërbyer edhe si shef i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal.
Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e tjera të përbashkëta të sigurisë, si dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës dhe personat e zhdukur, shkruan lajmi.net.
Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.