Aktorja australiane Cate Blanchett ka ngritur shqetësime për atë që e cilëson si “mungesë të theksuar turpi” në shoqërinë moderne gjatë një diskutimi për serialin e saj të ri në Apple TV, gjatë festivalit të filmit në Venecia.
E pyetur për ndryshimet në mënyrën se si shoqëria trajton femrat dhe qasjen e saj ndaj roleve, Blanchett theksoi se turpi dhe pendesa kanë një fuqi të madhe për të mësuar, ndryshe nga ndjenja e fajit, e cila sipas saj është një emocion i pafrytshëm.
Aktorja gjithashtu foli për tendencën në rritje të turpërimit publik dhe ndikimin e saj negativ, duke theksuar rëndësinë e bisedave private dhe përballjeve ballë për ballë. Në diskutimin e saj, ajo përmendi gjithashtu librin “The Body Keeps the Score” nga Bessel van der Kolk, që trajton ndikimet e traumave psikologjike.
Blanchett luan rolin kryesor në një serial të ri thriller, që është një adaptim i romanit të Renée Knight, me regji nga fituesi i Oskarit Alfonso Cuarón. Seriali, i cili u shfaq premierë në festival, ndjek një gazetare të njohur që përballet me sekretet e saj më të errëta, teksa përpiqet të zbulojë identitetin e një autori anonim.