Shkruan: Agim Vuniqi
Fabulat për njeriun e rilindur ”newborns”, atë të pasluftës që shijoi lirinë fizike i shoqëruar nga dhuna e profiterëve, të cilët rrahagjokseshin dhe rrahagjoksen se na shpëtuan nga zullumi kolonial, duke u mburrur, njëri pas tjetrit, me jetën ushtarake në mal, derisa dhunimet, vrasjet, masakrat regjistroheshin në vendbanime ku pësonin fëmijët, gratë, pleqtë dhe civilet e pambrojtur, vazhdoi me jetën në “liri” të rrethuar nga sundimtarë të rinj shqipfolës, me parti të dala nga lufta, me shoqata të dala nga lufta, me “kumandantë” kapitalist të dal nga lufta si milionerë, ndërsa popullin e fyenin, e ofendojnë, e shajnë me nënë, e bulëzojnë si “patriotet e Bllacës”, duke mos kuptuar faktin se aleanca veri atlantike intervenoi për t’i shpëtuar mu ata nga katastrofa humanitare dhe falë tyre ju shpëtuan edhe juve.
Ju lutem kur do ta mbyllni historinë e luftës dhe vlerave të dala nga lufta, pa muze të viktimave të gjenocidit, por me Gjykatë Speciale, që po i kushton vendit shumë shtrenjtë, me milliona euro, për t’iu siguruar avokatët më të shtrenjtë në botë.
Ju lutem kur do t’i prani rrahagjokset tuaja të trimërisë, dëshmoni ato në sallat e gjyqeve, ku do të listoni betejat dhe fitoret tuaja, duke lenë njerëzit të jetojnë të lirë, sikur të gjithë popujt e lirë, duke punuar dhe jetuar si njerëz normal, të cilët kontestet e tyre pronësore do t’i zgjidhnin duke rritur besimin në drejtësi dhe në gjykatat vendore, jo ato të dala nga lufta.
Tash është koha kur jetohet nga puna, jo nga vlerat e dala nga lufta, të cilën e përjetuam të gjithë me shumë viktima. Atë që po dëshirojmë nga ju është që të na leni të qetë, të rropatemi me problemet e jetës, ndërsa juve po ua lëmë edhe fitoret e NATO-s, duke pranuar se ju na çliruat!