Federata e Karatesë e Kosovës ka hapur sezonin e garave vendore për vitin 2025 me Kampionatin Shtetëror për Kadet, Junior dhe U21, ka njoftuar kjo federatë.
Ky aktivitet është mbajtur të dielën në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
“Në kampionat morën pjesë 33 klube me gjithsej 130 sportistë, meshkuj dhe femra, të cilët garuan në disiplinat Kata dhe Kumite. Ky kampionat shënon një hap të rëndësishëm për përgatitjen e sportistëve për garat ndërkombëtare, të cilat pritet të fillojnë së shpejti. Federata e Karatesë e Kosovës mbetet e përkushtuar në rritjen e cilësisë dhe nivelit të sportistëve, si në garat vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Falënderime të veçanta iu shprehën Komisionit të Gjyqtarëve, të kryesuar nga z. Edon Xharra, dhe Komisionit të Garave, të kryesuar nga znj. Luljeta Shala, për punën dhe angazhimin e tyre të palodhur”, ka shkruar FKK. “FKK falënderoi të gjithë sportistët, trajnerët dhe klubet për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë kampionat”.