Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi ka treguar se është finalizuar Projektligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Selimi ka shkruar në Facebook se edhe përkundër faktit që vendi ynë është lider në rajon që ka të funksionalizuar programin e kompensimit të viktimave të krimit në Kosovë, nga viti 2017 është vlerësuar se ky proces përmes rishikimit të Ligjit ekzistues duhet avancuar.
Ai ka paraqitur edhe disa pika që janë ndryshuar duke vënë në theks afatin e aplikimit.
Postimi i plotë:
Pas një pune intensive disa mujore dhe me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është finalizuar Projektligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Edhe përkundër faktit që vendi ynë është lider në rajon që ka të funksionalizuar programin e kompensimit të viktimave të krimit në Kosovë, nga viti 2017 është vlerësuar se ky proces përmes rishikimit të Ligjit ekzistues duhet avancuar, me theks të veçantë: Është zgjatur afati për aplikim nga 6 muaj sa është aktualisht në 2 viteve;- Janë rishikuar kriteret për kompensim, me qëllim që viktimat e dhunës në familje, mos ta kenë kusht kërkesën për dëmshpërblim nga i pandehuri.
Po ashtu një risi është edhe qasja e menjëhershme në kompensim për viktimat e dhunës në familje, viktimat e mitur, ku do të mundësohet që disa lloje të dëmeve të kompensohen pa përfunduar procesi gjyqësor;- Janë rishikuar kushtet materiale dhe formale për kompensim, duke përfshirë edhe lehtësime procedurale, si dhe janë zgjeruar llojet e veprave penale.
Trajtimi i viktimave të krimit dhe rregullimi i tij përmes legjislacionit përkatës, si dhe tani ndryshimi dhe plotësimi është dëshmi e përkushtimit tim dhe të Ministrisë së Drejtësisë që viktimën e krimit ta mbështes, kompensojë dhe t’i mundësojë ta zënë vendin e merituar në kuadër të sistemit juridik te Republikës së Kosovës