Forbes publikoi listën e ‘400 amerikanëve më të pasur’

Forbes publikoi listën e ‘400 amerikanëve më të pasur’

Themeluesi dhe drejtuesi ekzekutiv i kompanisë Amazon, Jeff Bezos, ka zënë vendin e parë si amerikani më i pasur në listën e revistës Forbes, raporton Anadolu Agency (AA).

Forbes këtë vit për herë të 37-të publikoi listën e “400 amerikanëve më të pasur”.

Jeff Bezos ka arritur të zë vendin e parë me pasuri prej 160 miliardë dollarëve. Vetëm brenda një viti, ai ka arritur t’i shtojë pasurisë së tij 78,5 miliardë dollarë.

Pasuria totale e vitit të kaluar prej 2,7 trilionë dollarëve e “400-ëshit të Forbes”, këtë vit u rrit në 2,9 trilionë dollarë.

Ndërkaq, themeluesi i Microsoft, Bill Gates, i cili për 24 vite me radhë gjendej në vendin e parë, këtë vit ka zënë vendin e dytë me 97 mliardë dollarë.

Në vendin e tretë është renditur Warren Buffet, pronari i Berkshire Hathaway, me 88,3 miliardë dollarë.

– Zuckerberg, themeluesi i Facebook, brenda një viti humbi 10 miliardë dollarë

Themeluesi i Facebook, Mark Zuckrber, pasuria e të cilit u zvogëlua për dhjetë miliardë dollarë në krahasim me vitin e kaluar, është radhitur si amerikani i katërt më i pasur me 61 miliardë dollarë, ndërsa Larry Ellison, themeluesi i Oracle, zuri vendin e pestë me pasuri prej 58,4 miliardë dollarëve.

– Trump shënon rënie në listë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, këtë vit është radhitur i 259-ti në listë, ndërsa vitin e kaluar gjendej në vendin e 248-të. Pasuria e tij, që arrin vlerën 3,1 miliardë dollarë, ka mbetur e njëjtë edhe këtë vit.

Dhjetë personat e parë dhe pasuria e tyre nga lista e “400 amerikanëve më të pasur” janë si në vijim:

Emri

Pasuria (miliardë dollarë)

Jeff Bezos 160
Bill Gates 97
Warren Buffett 88,3
Mark Zuckerberg 61
Larry Ellison 58,4
Larry Page 53,8
Charles Koch 53,5
David Koch 53,5
Sergey Brin 52,4
Michael Bloomberg 51,8