Ukraina ka marrë në kontroll disa vendbanime në rajonin e Luhansk, të cilat kanë qenë në kontrollin e forcave ruse, shkruan CNN.
“De-okupimi i rajonit të Luhansk tashmë ka filluar zyrtarisht,” tha kreu rajonal Serhiy Haidai në një mesazh në Telegram.
“Disa vendbanime, që kanë qenë në kontrollin e forcave ruse tashmë janë çliruar”, tha Serhiy Hayday, kreu i administratës ushtarake ukrainase të rajonit të Luhansk.
Pas rimarrjes së qytetit kyç lindor të Lyman, në rajonin e Donetskut, gjatë fundjavës, forcat ukrainase kanë vazhduar kundërsulmimin e tyre, duke përparuar në rajonin e Luhanskut.
Rusia kontrollon pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut. Forcat ukrainase çliruan fshatin Bilohorivka në Luhansk në fund të shtatorit. Hayday u kërkoi banorëve që u larguan nga shtëpitë e tyre në fillim të këtij viti të mos kthehen.
“Unë do të doja t’u bëj thirrje të gjithëve. Mos u ktheni, ne do t’ju njoftojmë se kur dhe ku saktësisht mund të ktheheni. Sepse është e nevojshme që Forcat e Armatosura të Ukrainës të përparojnë më tej në vijën e frontit. Territori duhet të çminohet,”tha ai.
Ai gjithashtu u bëri thirrje banorëve në zonat e pushtuara të Luhansk që të përpiqen të qëndrojnë larg vijës së frontit, ose të qëndrojnë në strehimore.