Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka bërë të ditur se është formuar Grupi i Gjelbër në Kuvendin e Kosovës, përcjell KosovaPost.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se ky do të jetë një grup vullnetar dhe kryetar i saj është ai.
Postimi i plotë:
Njoftim për formimin e Grupit të Gjelbër në Kuvendin e Republikës së Kosovës
Në bazë të nenit 74 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në përputhje të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, grupi i deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot Kryetarit të Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kemi paraqitur Njoftimin për Themelimin e Grupit Vullnetar ‘’Grupi i Gjelbër i Deputetëve’’.
Kryesuesi i grupit vullnetar të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovë të quajtuar ‘Grupi i Gjelbër i Deputetëve’ është: z. Haki Abazi – deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Legjislatura e VIII-të.
Fushëveprimi i grupit vullnetar të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të quajtur ‘Grupi i Gjelbër i Deputetëve’ është:
1. Korniza ligjore e Republikës së Kosovës;
2. Agjenda e Gjelbër Evropiane;
3. Marrëveshja e Parisit për Klimën;
4. Traktati i Glasgow;
5. Konferenca e Palëve;
6. Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara;
7. Ndërlidhja me komisionet e përhershme dhe funksionale parlamentare;
8. Monitorimi i zbatimit të legjislacionit në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm;
9. Diskutimet me grupet e interesit dhe përfshirja në debatet publike;
10. Konsultimet me shoqërinë civile, qytetarët, grupet e interesit.
Zgjerimit dhe përfshirja e deputetëve të tjerë, do të bëhet sipas interesit dhe paraqitjes së Deputetëve tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ju faleminderit.