Forca e Sigurisë së Kosovës në vazhdimësi është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, duke synuar që pas një faze tranzicioni prej 7-10 vjetësh, edhe Kosova të jetë pjesë e Aleancës Veri-atlantike. Ndërkaq në këtë përvjetor të pavarësisë së vendit, FSK në kuadër të komponentit njerëzor është në nivelin më të lartë profesional.
Kështu shprehet në një intervistë për Radio Kosovën gjeneral Sefer Isufi, shef i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes.
“Forca e Sigurisë së Kosovës disponon një personel të përgatitur në të gjitha nivelet, qoftë nga niveli i stafit të lartë komando shtabor, niveli i oficerëve planifikues, niveli i ushtarëve të cilët janë të përgatitur sipas standardeve më të larta profesionale. Kapaciteti njerëzor i FSK-ës është i gatshëm pa asnjë mëdyshje të angazhohet në secilin operacion për t’i kryer detyrat ligjore dhe kushtetuese. Janë të gatshëm t’i kryejnë të gjitha detyrat me efektivitet të plotë”, deklaroi ai.
Ai ka folur edhe për trendin e ikjes së ushtarëve të FSK-së nga vendi, të cilin e ka quajtur “normal”.
“Flas me përgjegjësi edhe profesionale edhe zyrtare se trendi i largimit të pjesëtarëve të FSK-ës, i përfolur tashmë një kohë të gjatë, është trend normal në secilën forcë edhe të shteteve më të avancuara dhe më të përparuara të Evropës edhe më gjerë. Ne normalisht që shprehim shqetësimin edhe për largimin e vetëm të një pjesëtari por kur themi se shprehim shqetësimin, nënkuptohet se në çdo pjesëtarë që e kemi rekrutuar FSK-ja ka investuar në potencialin e tij në fazën e trajnimit e edhe në fazën e arsimimit të tij, dhe normalisht që kur një ekspert i një fushe largohet, patjetër që shkakton hendikep. Mirëpo, në aspektin e përgjithshëm, ky është trend normal në secilën forcë. Konsideroj se nuk ka vend për shqetësim sepse FSK-ja është në proces të zhvillimit dhe ngritjes së kapaciteteve të reja”, ka deklaruar ndër të tjera Isufi.