Ministria izraelite e Drejtësisë refuzoi t`i përgjigjej mediumit Haaretz nëse një kërkesë për ekstradim për Dodik ishte kryer.
Presidenti i entitetit Republika Srpska të Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, “u detyrua të largohej vullnetarisht” nga një konferencë në Izrael pasi një gjykatë në Bosnje dhe Hercegovinë kërkoi ndihmë ndërkombëtare për arrestimin e tij të enjten, raportoi gazeta izraelite Haaretz.
Kjo gazetë shpjegon se si gjykata vendosi të ndërmarrë këtë hap pasi Dodik, i akuzuar për cenim të rendit kushtetues të shtetit, u largua nga vendi, duke shpërfillur ftesën e gjykatës.
“Dodik udhëtoi në Serbinë fqinje në fillim të kësaj jave dhe më pas udhëtoi në Izrael për Konferencën Ndërkombëtare për Luftimin e Antisemitizmit, organizuar nga Ministria izraelite e Çështjeve të Diasporës, e cila u mbajt të enjten,” raporton Haaretz.
Një burim i gazetës izraelite pranë konferencës tha se Dodik u largua nga konferenca të enjten në mëngjes “pasi ishte këtu për një orë”. Kur u pyet nga Haaretz nëse ai u detyrua të largohej apo u largua vullnetarisht, burimi tha se Dodik “u detyrua të largohej vullnetarisht”, shkruan Aljazzera.
Megjithatë, Dodik u pa më vonë në konferencë dhe Ministria izraelite e Çështjeve të Diasporës konfirmoi se ai ishte “rikthyer” në tubim.
Izraeli dhe Bosnja dhe Hercegovina janë nënshkrues të Konventës Evropiane për Ekstradimin dhe janë të detyruar të ekstradojnë personat e kërkuar nga shtetet e tjera, përveç rasteve të përcaktuara në konventë. Ministria e Drejtësisë e Izraelit refuzoi t’i përgjigjej Haaretz nëse një kërkesë për ekstradim për Dodik ishte kryer.rtk.