Ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla është takuar sot me homologun e saj danez, Lars Løkke Rasmussen, transmeton KosovaPost.
Në prag të marrjes së Presidencës së Këshillit të BE-së nga Danimarka në korrik 2025, Gërvalla ka shprehur bindjen se roli i Danimarkës për të zhbllokuar procesin e statusit të kandidatit për Kosovën është i domosdoshëm, përcjell Arbresh.info.
Postimi i plotë:
Takimi me Ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, shërbeu si konfirmim i një miqësie të qëndrueshme dhe një partneriteti me vlerë. E njoftova Ministrin Rasmussen se integrimi evropian i Kosovës nuk mund të mbetet peng i status quo-së.
Në prag të marrjes së Presidencës së Këshillit të BE-së nga Danimarka në korrik 2025, shpreha bindjen se roli i saj është i domosdoshëm për të zhbllokuar procesin e statusit të kandidatit për Kosovën. Republika e Kosovës i ka përmbushur detyrimet dhe është e gatshme të ecë përpara, me bindjen se roli aktiv i miqve tanë mund të bëjë dallimin për ta zhbllokuar këtë proces.
Po ashtu, theksova se tani është momenti i duhur për të përmbyllur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo nuk është vetëm një çështje politike, por një angazhim për vlera të përbashkëta, ku Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj si pjesë e familjes evropiane.
Marrëdhëniet tona me Danimarkën janë të shkëlqyera dhe mbeten një bazë e fortë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët. Republika e Kosovës është e përkushtuar të ndërtojë ura të forta me aleatë që ndajnë vlerat tona dhe besojnë në të ardhmen tonë evropiane.