Një raport i ri, i titulluar “Gjuha Diskriminuese në Tekstet Shkollore”, ka nxjerrë në pah një problem shqetësues në sistemin arsimor të Kosovës: prania e paragjykimeve, stereotipeve dhe gjuhës diskriminuese në materialet mësimore të përdorura në arsimin e mesëm të lartë.
Studimi, i prezantuar nga Youth Initiative for Human Rights Kosovo – YIHR KS, gjatë Javës për të Drejtat e Njeriut, analizon tekstet shkollore në lëndët si biologji, sociologji, psikologji, edukatë qytetare dhe histori, transmeton klankosova.tv.
Ai zbulon se materialet edukative përmbajnë elemente që mund të ndikojnë negativisht në qëndrimet e nxënësve, duke përforcuar narrativat e dëmshme ndaj gjinisë, përkatësisë etnike, aftësisë dhe seksualitetit.
Gjetjet nënvizojnë nevojën urgjente për rishikimin dhe përshtatjen e materialeve mësimore me standardet ndërkombëtare që mbështesin diversitetin dhe të drejtat e njeriut.
Sipas raportit, mësimdhënia duhet të promovojë respektin, barazinë dhe gjithëpërfshirjen, duke shmangur gjuhën diskriminuese dhe stereotipet që dëmtojnë kohezionin social.
Raporti i plotë është i disponueshëm për publikun dhe mund të shkarkohet në faqen tonë të internetit: Gjuha-diskriminuese-ne-tekstet-shkollore.pdf.