Një tjetër goditje për SC Gjilanin.
Pasi e humbi dje në tavolinë ndeshjen me Ballkanin, sot i erdhi një tjetër “shuplakë”.
Komisioni Disiplinor pranë Federatës së Futbollit të Kosovës ka vendosur ta dënojë klubin gjilanas, shkruan “Gazeta Express”.
Më saktësisht, Gjilani do t’i zhvillojë tri ndeshjet e radhës pa shikues, shkaku i incidentit që ndodhi fundjavën që shkoi.
“SC ”Gjilani”. Lëshim në organizimin e ndeshjes Gjilani – Ballkani zhvilluar me 03.04.2022 në stadiumin e qytetit në Gjilan. Në minutën e 90+4, pas barazimit të rezultatit nga ana e vendasve, një numër i shikuesve nga tribuna futen në fushë për të festuar golin e barazimit, dy nga të cilët sulmojnë fizikisht portierin e ekipit mysafir me nr fanelle 77 Stivi Frashëri duke i rrezikuar shëndetin. Lojtarit të sulmuar i është dhënë ndihma e parë në fushën e lojës, pastaj me autoambulacë është transportuar për në spitalin e qytetit. Për shkak të paaftësimit të lojtarit mysafir si rezultat i sulmit nga shikuesit, gjyqtari kryesor duke implementuar rregulloren e garave, në minutën 90 +4 e ka ndërprerë ndeshjen. Sipas raporteve të personave zyrtar të ndeshjes Gjilani – Ballkani . Bazuar 53 paragrafi 1 pika B i Rregullores disiplinore: Dënohet me 3 (tri) ndeshje zyrtare pa praninë e shikuesve si dhe jashtë fushës së stadiumit të qytetit në Gjilan. SC ”Gjilani” ndeshjet mund t’i zhvillojë në terrenin me bari sintetik në Gjilan ose në stadiumet tjera ku klubi dhe shtabi teknik vendosin”, shkruan në vendimin e Komisionit Disiplinor të FFK-së.
Tifozët gjilanas u futën në fushë për ta festuar golin e barazimit në minutat shtesë, por disa prej tyre e sulmuan fizikisht portierin e Ballkanit, Stivi Frashëri, i cili përfundoi në spital pa ndjenja pasi njëri prej tifozëve e qëlloi me shqelm në kokë.