Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq i ka quajtur gënjeshtra e ofendime ndaj Serbisë, deklarimet e kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla.
“Një mesazh i trishtë nga përfaqësuesja e “regjimit Kurti”. Dëgjuam një rrjedhë të pandalshme të gënjeshtrave dhe ofendimeve për Serbinë dhe presidentin tonë. Gjuhë shpifëse që nuk bën asgjë tjetër veç se thellon tensionet ndëretnike dhe kthen rajon në të kaluarën”.
Ai tha se Gërvalla u përgjigj me refuzim ndaj procesit të normalizimit me një gjuhë sipas tij të papranueshme e ofenduese.
“Dua të ritheksoj edhe njëherë, nuk kemi konflikt me popullin shqiptar, kemi problem me një regjim që shtypë komunitetin serb dhe komunitetet tjera jo shumicë”, tha ai derisa theksoi se obsesioni me presidentin Vuçiq tregon një numër gjerash.
“Së pari ai po e udhëheqë Serbinë mirë dhe po e përforcon sigurinë tonë, ekonominë tonë dhe pozicionin tonë ndërkombëtar dhe kjo po i trishton disa. Dhe këtu shfaqet edhe njëherë një mosrespektim ndaj viktimave të konfliktit dhe përdorin gjenocidin në mënyrë të parregullt dhe kjo sidomos ka kuptim kur e kemi parasysh faktin se mbi dy të tretat e serbëve janë zhvendosur me forcë nga atje”, tha ai.
Gjuriq tha se nuk e fsheh faktin që ka takuar Milan Radoiçiqin.
“Nuk e fsheh faktin që si pjesë e punës time në Kosovë për vite me radhë kam takuar Milan Radoiçiqin po aq sa kam takuar Albin Kurtin dhe Haradinajn dhe Thaçin e të tjerët që janë në burg për krime lufte ndaj komunitetit serb. E dënoj çdo lloj dhune që është ushtruar ndaj cilit do komuniteti në Kosovë, por kam pyetje pse qeveria e Albin Kurtit po ndalë dëshmitë e incidentit, prova që janë kërkuar nga prokuroria e Serbisë përmes e EULEX-it”./rtk