Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka deklaruar se gjendja nga vërshimet është shumë serioze.
Ai tregoi për lajmi.net se ka evakuuar njerëz nga shtëpitë e tyre dhe po bëhen përpjeke që t’iu ofrohen ndihmë të gjithë njerëzve që kanë pësuar dëme në këto vërshime.
“Gjendja është shumë serioze kemi pasur nevojë që disa familje me i evakuuar pas vërshimeve nëpër shtëpitë e tyre dhe është bërë rrezik për jetën e tyre. Kërkesat për evakuim po vazhdojnë dhe ne po bëjmë përpjekje me kapacitetet tona me bo maksimumin për të qenë afër tyre për t’i evakuuar dhe me i strehuar dhe çdo gjë që kanë nevojë”, tha Hamza.
Hamza tha se lumenjtë Ibër dhe Lushta kanë dal nga shtrati dhe si pasojë e kësaj ai theksoi se ka pasur vërshime në periferi por edhe brenda qytetit të Mitrovicës.
Më tej ai tha se nëse nuk ndalen të reshurat situata do të bëhet edhe më serioze.
“Lumi Ibër dhe Lushta kanë vërshuar dhe kanë dal nga shtrati dhe kanë vërshuar një pjesë të madhe edhe në fshatra në periferi por edhe në qytet. Për momentin situata është shumë shqetësuese uroj që të ndalen të reshurat përndryshe nga momenti në moment situata po është edhe më serioze”, tha ai.