Në arenën “Boris Trajkovski” në Shkup është hapur edicioni i 34-të i Panairit të Librit, ku deri më 9 maj do të prezantohen mbi 60 shtëpi botuese nga vendi, si dhe nga Turqia, Serbia, Kosova dhe Shqipëria, transmeton KosovaPost.
Në këtë edicion të panairit do të realizohen takime me autorë, si dhe një numër i madh i promovimeve dhe zbritjeve. Të gjitha shtëpitë botuese kryesore do të prezantojnë titujt dhe botimet e tyre të fundit për vitin 2022.
Përveç afatit të rregullt të organizimit të panairit, këtë vit kthehen vizitat në grupe për nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore. Gjatë kohës së panairit do të organizohen punëtori dhe promovime të edicioneve të reja për fëmijë.
Në shtatë ditët e panairit do të bëhen mbi 30 promovime të botimeve dhe autorëve të rinj, si dhe do të ketë edhe mysafirë të huaj.
Këtë vit fokusi është tek letërsia për fëmijë, respektivisht në tërheqjen e lexuesve më të vegjël.
Turqia do të ketë prezantim domethënës përmes Institutit “Yunus Emre”
Turqia këtë vit do të ketë një prezantim domethënës përmes Ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit, në bashkëpunim me Institutin “Yunus Emre”.
Duke folur për AA, drejtori i përgjithshëm i Bibliotekave dhe Botimeve në Ministrinë e Kulturs dhe Turizmit të Turqisë, Ali Odabaş, tha se po marrin pjesë në Panairin e Librit në Shkup me qëllim të promovimit të kulturës dhe letërsisë turke, si dhe për zhvillimin e mundësive për bashkëpunim në fushën e botimeve.
Siç njoftoi Odabaş, në panair do të ekspozohen rreth 500 vepra nga botime prestigjioze të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, vepra letrare turke të botuara në gjuhë të huaja me mbështetjen e projektit TEDA.
Projekti TEDA, i cili ofron mbështetje financiare për përkthimin dhe botimin e veprave letra turke në gjuhë të huaja, ofron mbështetje për 3.495 vepra në 60 gjuhë të ndryshme në 85 vende të ndryshme.
Ky edicion i panairit mundëson edhe blerjen e biletave në formë elektronike përmes uebfaqes “www.karti.com.mk”.
Panairi i Librit në Shkup organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut./AA