Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Sentop, ka vizituar me delegacionin e tij Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në kuadër të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, transmeron KosovaPost.
Şentop u takua me zyrtarët e universitetit dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve para darkës së iftarit të organizuar nga IBU.
Ai tha se edhe në të kaluarën ka marrë pjesë në programe të tilla të iftarit në vendet e rajonit.
Duke folur për takimet e tij me Maqedoninë e Veriut, Sentop tha: “Kemi mbërritur këtu vonë mbrëmë. Së pari, u takuam me kryeministrin, diskutuam shumë çështje së bashku, ishte një takim i mirë konstruktiv. Do të marrim pjesë në iftarin e organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik sonte. Gjithashtu, patëm rastin të takohemi me përfaqësuesit dhe drejtues të organizatave joqeveritare. Kemi shumë miq këtu”.
Duke theksuar se Natën e Kadrit do ta presë në Shkup, Şentop tha se ajo që e bën të veçantë Ramazanin është shpallja e Kuranit.
“Ramazani është muaj i përkujdesjes shpirtërore dhe festë në kuptimin metafizik”, tha kryeparlamentari turk, duke shtuar se agjërimi, edhe pse në mënyra të ndryshme në të gjitha fetë, është një adhurim shumë i rëndësishëm që buron që nga koha e profetit të parë, Ademit.
“Po i afrohemi fundit. Allahu ua pranoftë agjërimin të gjithë vëllezërve tanë që kryen adhurime[…] Na u mundësoftë që ta arrijmë Bajramin me shëndet dhe mirëqenie dhe të përjetojmë edhe shumë Ramazane të tjera”, tha Sentop.
“Shpresoj që bekimi i muajit të Ramazanit, begatitë e tij të sjellin paqe dhe qetësi për mbarë njerëzimin”, shtoi kreu i parlamentit turk./AA