Ministria e Ekonomisë sot ka shpallur thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme financuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Sipas njoftimit, masat që janë prezantuar synojnë mbështetjen e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme, si investim në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, e të cilat përfshijnë:
Pompë termike; Kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë); Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket); Stufa individuale me biomasë.
Bëhet e ditur se vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është njëzet përqind (20%) e vlerës investive, apo deri në 2000.00 €.
Kurse, për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) e tutje, vlera e subvencionimit është njëzet e pesë përqind (25%) e vlerës investive dhe deri në 2000.00 €.
“Kondicioner/ klimë (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), vlera e subvencionimit për një pajisje është njëzet përqind (20%) e vlerës investive, apo deri në 1000.00 €. Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) e tutje, vlera e subvencionimit është njëzet e pesë përqind (25%) e vlerës investive dhe deri në 1000.00 €.Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet dyzet përqind (40%) e vlerës investive, dhe deri në 2000.00 €. Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) e tutje, vlera e subvencionimit është dyzet e pesë përqind (45%) e vlerës investive dhe deri në 2000.00 €.Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është dyzet përqind (40%) e vlerës investive dhe deri në 500.00 €. Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) e tutje, vlera e subvencionimit është dyzet e pesë përqind (45%) e vlerës investive dhe deri në 500.00 €”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Aplikimi për subvencionim është e ndarë në dy faza dhe në të dy fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova: https://rks-gov.net/476
“Afati i fundit për aplikim për fazën e parë është 21 ditë kalendarike nga dita që hapet thirrja, pra deri më datën 12 dhjetor 2023 ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje. Aplikimet e pranuara në fazën e parë do të shqyrtohen bazuar në parimin “KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI”. Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është deri me datën 10 janar 2024”, thuhet tutje.