Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë arrestuar një zyrtar policor në Gjakovë, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Ngacmim seksual “, ndaj një të miture.
I njëjti me vendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë.
“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar përmes telefonit lidhur me dyshimet se ky zyrtar policor kishte kryer veprime të kundërligjshme. IPK në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë ka filluar një hetim ndaj zyrtarit të dyshuar për veprën penale “Ngacmim seksual “ ndaj një viktime të mitur.
Hetuesit në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore ku pas këtyre veprimeve fillestare hetimore zyrtari policor është arrestuar dje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në njoftim.