Tre studentë të Fakultetit të Mjekësisë nga qyteti i Mitrovicës, që të tre të rinj në moshë, kanë arritur që për 5 vite angazhim t’i krijojnë Mitrovicës mbi 70 ekonomi të ardhshme familjare, shkruan Mitropol.
Gzimi, Bujari e Aurori këtë e kanë bërë duke trajnuar falas në lëndët Kimi dhe Biologji tash e 5 vite, nxënës të interesuar për pranim në Fakultetin e Mjekësisë, nga tërë rajoni i Mitrovicës, duke përfshirë edhe Vushtrrinë e Skenderajn.
“Bashkë me dy kolegët e mij, Aurorin e Bujarin kemi nisur një iniciativë për të drejtuar të rinjtë mitrovicas për orientimin në karrierë, ku për 5 vite punë shumë të lodhshme kemi arritur që të trajnojmë mbi 70 nxënës të cilët sot janë studentë të Mjekësisë dhe nesër mjek të ardhshëm, rrjedhimisht mbi 70 ekonomi familjare mitrovicase shumë të qëndrueshme, mbi 70 personalitete të reja të formuara ashtu siç duhet, mbi 70 mjek mitrovicas”, thotë Gzim Abrashi për Mitropolin.
Abrashi pohon se synimi i tyre është rikthimi i dinjitetit të dikurshëm qytetit të Mitrovicës, duke e shndërruar atë në qytet të mjekëve dhe mjekësisë, me synimin që për pak vite të nxjerrin 250-300 mjek të ardhshëm nga trajnimet që ata mbajnë.
“E veç kësaj, ne kemi projekte edhe për profesione të tjera, që besoj se shumë shpejtë do t’i realizojmë. Arsimi është e vetmja mënyrë, e vetmja shpresë që Mitrovica të ngjallet, që Mitrovica të bëhet qytet i dashur për banim e i pëlqyer për të gjithë qytetarët e Kosoves”, thotë mes tjerash Abrashi.
Ata këto veprime po i kryejnë në kuadër të organizatës joqeveritare “RINAS”, si një prej organizatave më aktive të qytetit të Mitrovicës.
P.s edhe sivjet është hapur konkursi për aplikime në Prishtinë dhe Mitrovicë./Mitropol/