Ibrahim Hamdan ka qenë në krye të detyrës që nga 7 Tetori. Ai dhe kolegët e tij përpiqen të largojnë të mbijetuarit nga shtëpitë e shkatërruara.
39-vjeçari ka mbetur i plagosur gjatë përpjekjeve të kërkim-shpëtimit në Gaza, kur ai mundi të nxirrte trupat e dy vajzave, të cilat u gjetën të pajeta në rrënojat e shtëpisë së tyre në qytetin jugor të Gazës në Khan Younis, ku ai punon së bashku me ekipin e tij prej 12 punëtorësh.
“Ne si punonjës të mbrojtjes civile, zakonisht punojmë një ose dy ditë në një javë, por kur situata është si sot, ne nuk pushojmë së punuari. Unë dola nga shtëpia të shtunën në mëngjes, isha planifikuar të mbaroja turnin por jamë me kolegët e mi që atëherë. Unë nuk di asgjë për familjen time. I marr vetëm në telefon, sepse jam këtu duke punuar.”
Duke mos pasur mjaft mjete të specializuara, punëtorët e kërkim-shpëtimit përdorin lopatat por dhe mjetet e tjera për të larguar rrënojat.
“Momentalisht, ne jemi zhvendosur në një shkollë, sepse gjatë luftës në 2008 kemi qenë në shënjestër, vendet ku punonim, por edhe anëtarët e ekipit. Gjatë çdo lufte apo përshkallëzimi ne zhvendosemi në shkollat e zonës sonë, e njëjta gjë ndodh në të gjithë Rripin e Gazës, për të qënë më I mbrojtur, pasi në çdo moment, ekipi, automjetet, që mund të shihni këtu, mund të jenë në shënjestër të armikut”.
Të mërkurën, katër punonjës të urgjencës së Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës u vranë kur ambulancat e tyre u goditën në dy incidente të ndryshme.
Dy kolegë nga ekipi i Hamdanit u plagosën kur një sulm ajror dëmtoi ambulancën e tyre por fatmirësisht pa dëmtime të rënda.
“Siç mund ta shihni ambulanca kanë qënë shënjestër e sulmeve ndërsa ne po shkonim për të shpëtuar civilët. Ndërsa po shkonim për të shpëtuar njerëzit, pra ata që janë në terren apo civilët na goditën. Falë Zotit, shoferi dhe mjekët u plagosën lehtë, Zoti na ruajti nga ky sulm”.
Hamdan punon për departamentin e Emergjencave Civile, shërbimin e zjarrfikësve dhe shpëtimit që kontrollohet nga qeveria e Gazës, të cilën Hamasi e ka kontrolluar që kur mori pushtetin në enklavë gjatë një lufte të shkurtër civile palestineze në 2007.
“Për sa i përket misioneve të shpëtimit, pesë, gjashtë kate ndërtesash po shkatërrohen ndërkohë që njerëzit ndodhen në këto ndërtesa, dhe ne si ekip i mbrojtjes civile nuk kemi pajisje, ajo që kemi është një kamion zjarrfikës, na duhen më shumë mjete dhe më shumë punonjës, pasi jemi 12 ose 13 anëtarë, dhe nuk mjafton gjatë një lufte agresive kundër Palestinës dhe popullit tonë. Nuk mjafton”.
39-vjeçari shpjegon se puna që po bën aktualisht në Gaza është më e vështira në të gjithë karrierën e tij.
“Ne nuk mund ta krahasojmë këtë luftë me ato të mëparshme në 2014, 2021 dhe të tjera. Kjo luftë është e ashpër përtej imagjinatës. Ata po shemben ndërtesat e njerëzve pa paralajmërim. Ata rrëzojnë ndërtesat e larta mbi banorët e tyre. Kjo ishte jashtëzakonisht e vështirë për ne, mbrojtjen civile, sepse nuk kemi asnjë pajisje. Ne po kërkojmë civilët duke përdorur duart tona. Është shumë e vështirë”.
Por pjesa më vështirë për të është të qënurit larg familjes.
“Unë i shoh fëmijët e mi në internet (nëpërmjet videove në internet). Ata më thonë; “na mungon babi, duam që të kthehesh në shtëpi” dhe unë u them atyre; “Jam në punë të dashurit e mi”, ju e dini. Më mungojnë të jem i sinqertë, më mungojnë fëmijët e mi, më mungon gruaja ime, më mungon familja dhe nëna ime. Në fund të ditës të gjithë ne jemi njerëz dhe na mungojnë familjet dhe fëmijët tanë”.
Por pavarësisht vështirësive, ai tregon se nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë të punojë për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish.
Megjithatë, Ibrahim shpjegon se do të vijojë të ndihmojë në gjetjen dhe shpëtimin e personave që kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
“Pavarësisht bombardimeve, shkatërrimit dhe gjithçka që po bën armiku, ne jemi të vendosur të punojmë për mbrojtjen civile, të punojmë pranë ekipeve mjekësore dhe të jemi kudo për t’i shërbyer popullit tonë. Edhe pse po rrezikojnë jetët e tyre për të shpëtuar të tjerëve, këta punonjës të Emergjencave Civile janë të gatshëm për ta çuar deri në fund misionin e tyre”.m


























