Pas datës 3 tetor, komandën e KFOR-it do ta marrë për herë të dytë gjeneralmajori i ushtrisë turke, Özkan Ulutaş. Ky është rasti i parë në historinë e misionit që një gjeneralmajor emërohet përsëri në këtë detyrë që nga themelimi i KFOR-it në vitin 1999, transmeton KosovaNews.
Dorëzimi i komandës do të bëhet nga gjeneralmajori italian, Enrico Barduani, ndërsa ceremonia do të udhëhiqet nga Admirali Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli. Ngjarja do të mbahet më 3 tetor 2025, në orën 11:00, në Kampin “Film City” në Prishtinë.
Ky zhvillim përkon me dyvjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagos një tjetër polic. Organizatori i këtij sulmi, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Në këto dy vite, KFOR-i ka qenë një faktor kyç në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në veriun e vendit, duke luajtur rol vendimtar në parandalimin e përshkallëzimeve dhe ruajtjen e paqes në Kosovë.


























