Hodaj: Ka rritje të besimit tek Inspektorati Policor nga qytetarët

Inspektorati Policor i Kosovës ka një rol shumë të rëndësishëm në sigurimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të aktiviteteve të Policisë, për të siguruar që ato të jenë në përputhje me ligjin, standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtat e njeriut. Në një përmbledhje të punës së Inspektoratit Policor të Kosovës gjatë viti 2024, kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj thotë se gjatë vitit kanë pranuar rreth dy mijë ankesa, janë zhvilluar rreth 90 kallxime penale, mbi 20 zyrtarë policorë janë arrestuar dhe mbi 80 janë suspenduar për shkak të hetimeve.

I nderuar Hodaj, faleminderit shumë për kohën. Si ka qenë ky vit për ju, keni pasur një vit të lehtë apo të vështirë? 

Kushtrim Hodaj: Ishte një vit me shumë aktivitete të Inspektoratit Policor të Kosovës. Ne kemi vazhduar të zbatojmë autorizimet tona ligjor në të gjitha rastet dhe kërkesat e qytetarëve për punën e policisë. Kemi zhvilluar një sërë çështjesh penale dhe kemi ndërmarrë masa ndaj shumë zyrtarëve policorë që kanë rënë ndesh me ligjin dhe kemi zhvilluar një numër të inspektimeve, të rregullta, të planifikuara dhe të jashtëzakonshme, për t’u siguruar që veprimet e policisë kanë qenë në përputhje me ligjin dhe standardet e kërkuara.

Si institucion, jeni i besueshëm. Keni pasur shumë raste, shumë ankesa?

Kushtrim Hodaj: Po, ky vit ka qenë një nga vitet me numrin më të madh të ankesave. Kemi më shumë se 20% rritje të numrit të ankesave në raport me një vit më parë dhe konsiderojmë se është, para së gjithash, rritje e besimit të qytetarëve në Inspektoratin Policor të Kosovës. Ata e konsiderojnë si adresë të duhur për të paraqitur ankesat dhe shqetësimet e tyre. Dhe reagimet tona, veprimet tona të shpejta dhe profesionale kanë bërë që ky besim të rritet edhe më shumë te qytetarët e Kosovës dhe ata e dinë saktësisht adresën ku duhet të adresohen, në rastet kur e vlerësojnë se të drejtat e tyre cenohen nga veprimet e zyrtarëve policorë.

Sa prej këtyre ankesave kanë dalë të sakta, kur ju keni verifikuar dhe keni bërë kallxime, sigurisht?

Kushtrim Hodaj: Ne fillimisht kemi një proces të analizimit dhe vlerësimit të ankesave dhe i vlerësojmë ato që kanë elemente të veprës penale ose disa kategori shkeljesh të larta disiplinore të cilat jemi autoriteti për t’i trajtuar si inspektorat policor, sepse inspektori, përveç që trajton të gjitha rastet në të cilat punonjësit e policisë janë të përfshirë në çështjet penale, ligji ka paraparë edhe disa shkelje administrative të gradave të larta, pozitave të larta drejtuese dhe incidente të profilit të lartë, që ato t’i trajtojmë gjithashtu edhe në aspektin administrativ ose disiplinor dhe në këtë procesin e vlerësimit pastaj i ndajmë ato që bien në kompetencën tonë ligjore dhe përcillen në Departamentin e Hetimeve për t’u trajtuar më tutje dhe pjesa tjera që janë në kompetencë të Departamenteve përgjegjëse brenda Policisë, për trajtim të mëtutjeshëm, ato kthehen në Polici dhe pastaj monitorohet Policia për mënyrën se si po i përfundon ato raste. Mbi 40 për qind janë rastet që fillimisht konsiderojmë se kanë elemente të veprës penale dhe zhvillohen hetime penale. Për sa i përket shifrave, kemi rreth 2.000  (dy mijë) ankesa brenda vitit që kemi trajtuar. Rreth 700 janë konsideruar se kanë dyshim për hetime penale fillestare, por edhe kur zhvillohen hetimet penale, pas përfundimit të hetimit, mund të rezultojë që disa prej tyre sërish nuk i plotësojnë ato elemente që kanë të bëjnë me hetimin penal dhe sërish vendosen në standardet profesionale.

A ka pasur kallxime penale? 

Kushtrim Hodaj: Po, ka pasur. Janë zhvilluar rreth 90 kallxime penale që janë zhvilluar, mbi 20 zyrtarë policorë janë arrestuar dhe për mbi 85 është kërkuar suspendimi i tyre dhe janë suspenduar për shkak të hetimeve. Janë zhvilluar 10 inspektimet të rregullta, të planifikuara dhe të jashtëzakonshme. Inspektimet janë një natyrë tjetër e vlerësimit të mënyrë se si perfomon Policia e Kosovës, a janë veprimet e tyre në harmoni me ligjin dhe në fund të këtyre ne nxjerrim raporte të zgjeruara, japim rekomandime se si të përmirësohet puna dhe pastaj e kemi një sistem tjetër të monitorimit të nivelit të zbatimit të këtyre rekomandimeve. Këto janë më shumë veprime proaktive të cilat ne i bëjmë për të parandaluar shkeljet dhe për t’u siguruar që policia po e rritë nivelin e profesionalizmit në vazhdimësi. Si rezultat i këtyre hetimeve kemi pasur me dhjetra apo qindra kallxime penale që kemi drejtuar në prokuroritë kompetente.

Çfarë bashkëpunimi keni me këto institucione që i kryejnë këto hetime?

Kushtrim Hodaj: Kemi bashkëpunim të mirë me Prokurorinë e Shtetit, me të gjitha nivelet e rajoneve. Të gjitha autorizimet për hetime penale, natyrisht i marrim nga prokurorët për masat e mëtutjeshme. Pastaj ne kemi këtë pjesën administrative të inspektimeve dhe masave. Pra, jemi kompetentë sipas ligjit dhe ne e trajtojmë atë sipas autorizimeve që kemi, autorizimeve tona ligjore.

Ju thatë se keni pasur 20% rritje të ankesave këtë vit, në krahasim me vitin e kaluar.  Çfarë mendoni se ka sjellë këtë rritje këtë vit?

Kushtrim Hodaj: Një nga analizat tona është se ka një rritje të besimit tek Inspektorati Policor nga ana e qytetarëve. Është rritur raportimi. Mund të ketë arsye të ndryshme, që qytetarët të vendosin t’i drejtohen Inspektoratit. Ka një numër të madh të ankesave që kanë të bëjnë edhe me kundërvajtjen në trafik, edhepse ne nuk jemi kompetentë që t’i trajtojmë, sepse janë komisione të brendshme të policisë. Mirëpo ne kujdesemi që edhe në këto raste të sigurohemi që policia të ketë përmbushur kërkesat ligjore dhe veprimet e tyre të kenë qenë në përputhje me rregullat e përcaktuara.

Kam parë gjatë këtij viti, që ju keni pasur disa udhëtime, disa pjesëmarrje në konferenca të rëndësishme me institucione homologe, qoftë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çfarë krahasime të punës keni mundur të shihni?

Kushtrim Hodaj: E para ne jemi me fat që kemi një nga sistemet më demokratike për mbikëqyrjen dhe kontrollin policor, sepse Kosova ka një agjenci të veçantë që është e pavarur nga Policia dhe që kujdeset për hetimin, inspektimin dhe monitorimin e policisë.

A jeni shumë të pavarur?

Kushtrim Hodaj: Konsideroj se jemi shumë të pavarur, edhe strukturalisht edhe në vendimmarrje kemi pavarësi të plotë. Të gjitha vendimet tona janë të bazuara në autorizimet ligjore, në autorizimet e prokurorëve përkatës dhe në kompetencat tona. Si sistem është një nga më demokratiket të mbikëqyrjes policore, që shtetet e rajonit kanë filluar të kopjojnë dhe t’i përshtaten këtij lloj modeli. Në shumë shtete evropiane është kështu. Ne kemi zhvilluar një politikë bashkëpunimi me shtetet e rajonit dhe Inspektorati Policor i Kosovës, është nismëtar  i krijimit të Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse të Policisë. Vitin e kaluar kemi nënshkruar deklaratën e themelimit të forumit dhe tashmë jemi në kompletimin e bazës ligjore, të statutit dhe kemi pasur disa aktivitete të përbashkëta me agjencitë homologe të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Gjithashtu kemi disa anëtarësime në organizatat ndërkombëtare me karakter evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jemi anëtar me të drejta të plota, apo në cilësi të vëzhguesit. Jemi bashkuar në këto mekanizma që mbledhin gjithë organet mbikëqyrëse të policisë. Praktikat mund të ndryshojnë sa iu përket autorizimeve dhe strukturave që mbikëqyrin policinë, por problemet e qytetarëve janë të njëjta: Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, tejkalimi i autorizimeve policore, abuzimet me ryshfetin,… janë shumë të ngjashme me shkeljet tipike që ndodhin në të gjitha policitë botërore.
Ne gjithashtu konsiderojmë se sistemin e mbikëqyrjes e kemi më të avancuar dhe kemi mësuar shumë nga praktikat ndërkombëtare. Jemi anëtar të Shoqatës së Hetimeve të brendshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe konsiderohemi si me qenë pjesë, një prej shteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një prej anëtarëve. Gjithashtu jemi pjesë e rrjetit evropian të agjencive mbikëqyrëse të policisë dhe organizatave kundër korrupsionit. Kemi pasur  shumë mbështetje nga mekanizmat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu në Kosovë, përmes Departamenti i Shtetit…

Kjo ju ka ndihmuar shumë, besoj?

Kushtrim Hodaj: Kjo na ka ndihmuar shumë në zhvillimin e profesionalizmit, përmes trajnimeve, përmes këshillave, por edhe përmes pajisjeve të veçanta që ne i përdorim në hetime.  Por, gjithashtu në anëtarësimin në këto organizata një rol të madh ka luajtur edhe në mbështetjen dhe në vizitat e studimore që kemi brenda dhe jashtë shtetit.

A mund të veçoni dy-tre raste pak më të vështira, me të cilat jeni përballur këtë vit, sepse është e vështirë megjithatë, që një zyrtar në uniformë të inspektohet për një rast të caktuar?

Kushtrim Hodaj: Ka raste të ndryshme me të cilat ne jemi ballafaquar. Më të vështira janë kryesisht raste që kërkojnë masa të fshehta të hetimeve, për shembull në rastet kur zyrtarë policorë janë të përfshirë në grupet më të mëdha kriminale, në grupe të krimeve të organizuara apo të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Në këto raste, sigurisht që kërkohet një angazhim më i madh, kërkohet edhe një profesionalizëm më i madh dhe është më e vështirë që të dokumentohen provat për të cilat ne dyshojmë. Janë rastet të dhunës në familje më të vështira për t’u trajtuar, për shkak se zyrtarët policorë konsiderohen institucioni që mbron të gjithë qytetarët nga çfarëdo lloj abuzimi. Dhe në rastet kur zyrtarë policorë janë vetë të përfshirë, sigurisht që është më vështirë dhe raportimi në këto raste përsëri është më vështirë, sepse viktima në këto raste e ka më vështirë të raportojë.

Keni pasur raste të kësaj natyre?

Kushtrim Hodaj: Po, kemi pasur raste të kësaj natyre që kanë bazë gjinore. Gjithashtu i kemi dhënë rëndësi shumë se si policia i trajton rastet e dhunës në familje dhe në tri vitet e fundit kemi zhvilluar inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme  për t’u siguruar që veprimet policore janë në harmoni me standardet e kërkuara dhe në harmoni me të drejtat e qytetarëve. Në momentin që qytetari vendos të denoncojë një rast në polici, ne shohim a janë zbatuar ato protokole që parashihen në mbrojtjen e viktimave dhe për veprimet ndaj personave të dyshuar.

Ju thatë që keni një teknikë më të avancuar për të monitoruar dhe për të hetuar rastet e policisë. Por në radhë të Policisë ka pasur edhe anëtarësime të reja, të cilët duhet  të njoftohen me kohë me kodin e sjelljes dhe respektimin e ligjit në terren. A keni më shumë raste me këta të rinj që mund të mos e njohin shumë procesin e punës? 

Kushtrim Hodaj: Ka pak më shumë rritje lidhur me dy gjeneratat e fundit, edhe për shkak se trajnimi ka qenë pak i përshpejtuar, sepse policia ka pasur nevojë për plotësimin e vendeve të lira të punës. Mirëpo kurrikulat e trajnimit bazik të policisë parashikojnë të gjitha këto njohuri që duhet të ndjekin zyrtarët në trajnimin bazë, por janë njohuri që duhet të ricertifikohen vit pas viti dhe duhet të avancojnë njohuritë e tyre në programe më të avancuara. Por, pjesa e parë është më e vështirë si për zyrtarët që dalin në terren, por edhe për qytetarët. Ne po bëjmë përpjekje që të ndihmojmë policinë që informojnë për rekomandimet që kanë të bëjnë kryesisht me përmbajtjen e kurrikulës së trajnimit, në mënyrë që të gjithë ata të rinj që veshin uniformë të mos kenë probleme të kësaj natyre në terren.

Në 2025, a keni menduar se çfarë mund të avancohet në punën e Inspektoratit? 

Kushtrim Hodaj: Po bëjmë çmos që të rrisim numrin e inspektorëve policorë, të rrisim numrin punonjësve, për të përballuar trajtimin e ankesave që marrim. Kemi një premtim të Qeverisë dhe Ministrisë së Financave që të kemi një shtim të zyrtarëve dhe besojmë se me rekrutimin e këtyre zyrtarëve do të jemi më komodë në trajtimin e ankesave të qytetarëve dhe të shpërndahemi edhe në disa zyra rajonale që të jemi më afër qytetarëve për të pranuar ankesat e tyre. Në plane tona është edhe rritja e profesionalizmit apo angazhimit të vazhdueshëm në fusha të ndryshme të specializimit, që të kemi trajnime të avancuara, të specializuara për grupe të caktuara të hetuesve dhe për kategori specifike të rasteve që i konsiderojmë si prioritete për vitin e ardhshëm.

Si do ta rritni nivelin e besimit të qytetarëve në institucionin tuaj?

Kushtrim Hodaj: Konsideroj se çdo përgjigje profesionale ndaj rasteve që ne i trajtojmë jep mesazh për qytetarët që ata të kenë akoma më shumë besim. Por ne iu bëjmë thirrje qytetarët të drejtohen dhe të raportojnë rastet te Inspektorati Policor të Kosovës dhe do të marrin përgjigjën e duhur, për kualifikimin e rastit, për statusin e çështjes dhe për veprimet që do të marrim ndaj zyrtarëve, për të cilët ne arrijmë të dëshmojmë fajësinë e tyre, apo edhe pafajësinë e tyre, sepse ka shumë raste që përfundojnë në epilogun kur policia ka vepruar në mënyrën e duhur.

Përveç nevojes për shtimin e stafit në institucionin tuaj, a keni ndonjë kërkesë tjetër që qeveria apo parlamenti t’ju mbështesin? A keni pasur ndonjë mbështetje deri më tani? Çfarë lloj bashkëpunimi keni me ta?

Kushtrim Hodaj: Kemi pasur mbështetje të mirë nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë dhe Ministria  e Punëve të Brendshme, pra edhe nga qeveria. Ata kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të na mbështetur në çdo kërkesë që kemi. Sidomos në zhvillimin e rolit tonë ose zbatimin e rolit tonë përmes fuqizimit të autorizimeve ligjore. Përveç plotësim-ndryshimin e Lgjit të Inspektoratit Policor të Kosovës, të cilat ne kemi planifikuar ta shtyjmë gjatë vitit të ardhshëm (2025), ne mund të parashohim edhe disa autorizime shtesë, që rrisin autorizimet e Inspektoratit Policor të Kosovës, për të siguruar integritetin më të lartë të zyrtarëve policorë, një prej tyre është aplikimi i metodës së Testit të Integritetit. Është një metodë e re që po përdoret në shumë vende të botës, për t’u  siguruar që zyrtarët policorë kanë integritetin për mënyrën e trajtimit të disa shkeljeve, për të cilat mund të ketë informacione që mund të zhvillohet si dukuri në njësi apo në divizione të caktuara.

Si e shihni të ardhmen e Inspektoratit Policor të Kosovës, bazuar në dinamikën e punëve që keni pasur këto vjet?

Kushtrim Hodaj: Konsideroj se Inspektorati Policor i Kosovës duhet dhe do të jetë pjesë e institucioneve kredibile të Kosovës për t’u siguruar qytetarë që veprimet e Policisë janë në harmoni me ligjin, sepse Policia është mekanizmi kryesor që kujdeset për rendin dhe sigurinë dhe ne jemi ata që kujdesemi që ky mekanizëm të funksionojë në mënyrën e duhur, që qytetarët të ndjehen të sigurtë në jetën që bëjnë dhe veprimtarinë e tyre. Unë e shoh Inspektoratin Policor si institucion model, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe besoj se jemi në gjendje të mirë ta konsiderojmë të tillë, për shkak të angazhimit të jashtëzakonshëm të të gjithë punonjësve të Inspektoratit Policor të Kosovës, që të sigurojmë që veprimet tona dhe veprimet e policisë të jenë konform pritjeve të qytetarëve.

Ku e renditni ju pra Inspektoratit Policor për nga rëndësia në raport me institucione të tjera? 

Kushtrim Hodaj: Institucionit tonë i përgjigjet ajo thënia: “Kush i ruan rojet?!”. Ne jemi “Rojtarë të rojeve” dhe kemi një detyrë specifike, jo të lehtë. Por është jashtëzakonisht e rëndësishme për institucionet dhe për shtetin e Kosovës, për të fuqizuar këtë lloj mekanizmi, për shkak se në fund të fundit ne të gjithë duhet të kujdesemi që Policia të ketë performancë më të mirë dhe qytetarët të ndjehen më të sigurtë. Ky është qëllimi edhe i yni, edhe i Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera, për të arritur shërbime sa më të mira për qytetarët dhe në këtë drejtim, kemi krijuar marrëdhënie dhe bashkëpunim të mirë edhe me Policinë e Kosovës, me prokurorinë dhe me qeverinë dhe institucionet tjera, i kemi të ndërtuara  në këtë frymë, për shkak të bashkëpunimit, sepse qëllimi është i përbashkët dhe i mirë për qytetarët e Kosovës.

Faleminderit për intervistën dhe gëzuar!

Kushtrim Hodaj: Gëzuar për ju dhe për gjithë qytetarët e Kosovës! Një vit të mbarë për të gjithë!Radio Kosova.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika