Kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se sot kishte takim me të gjitha sindikatat dhe se kreu i sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi s’ishte i pranishëm.
Hoti këtë e ka thënë si përgjigje ndaj Azemit i cili për Ekonomia Online, ka thënë se kryeministri ishte vonuar 15 minuta dhe se ai nuk e ka pritur.
“Kam pasur takim me të gjitha sindikatat e sektorit publik, por me sa pash ai nuk ishte në takim. Ne diskutuam për të gjitha kërkesat e tyre dhe i kemi trajtuar një nga një dhe ministrat kanë marrë kërkesat e tyre që në bazë të mundësive buxhetore tu ndalim në ndihëm. Ndërsa kemi diskutuar edhe për sektorin privat”, tha Hoti, pas homazheve në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.
Hoti ka folur edhe për moscertifikimin e Albin Kurtit, për deputetë dhe nëse këtë e sheh mangësi.
“Vendimet e organeve të drejtësisë duhet të respektohen. Dëshira ime është të ballafaqohem me të gjithë kandidatët për kryeministër, të gjithë ata që garojnë duke i përmbushur ligjet. Është e qartë, gjithkush që ka problem me ligjin s’mund të kërkojë post publik dhe s’mund të dalë para qytetarëve”, ka thënë ai pas homazheve në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se s’ka ndonjë pajtueshmëri me ushtruesen e detyrës së Presidentes Vjosa Osmanin për emërimin e shefit të AKI-së.