Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq, deklaroi se Serbia nuk mund të pranojë rezultatet e referendumit në rajonet e Ukrainës.
Ai në konferencën për media, më 25 shtator, deklaroi se kjo do të ishte në kundërshtim me interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.
“Kjo do të ishte krejtësisht në kundërshtim me politikën tonë të ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit dhe përkushtimit ndaj parimit të paprekshmërisë së kufijve”, tha Selakoviq.
Në katër rajone të Ukrainës, që pjesërisht kontrollohen nga Rusia, po mbahen referendumet e rreme ruse, që kanë nisur më 23 shtator dhe do të vazhdojnë deri më 27 shtator.
Ky veprim konsiderohet i paligjshëm sipas Ligjit ndërkombëtar dhe i njëjti është dënuar nga Ukraina, Perëndimi dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Shefi i diplomacisë serbe, tha po ashtu se në margjinat e seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 23 shtator, Serbia dhe Rusia nënshkruan Planin për Konsultime për dy vitet e ardhshme. Ai tha se dokumenti është “çështje teknike” dhe se është nënshkruar që nga viti 1996.
“Bëhet fjalë për marrëdhënie dypalëshe dhe aktivitet shumëpalësh. Qeveria ka mundur ta refuzojë një plan të tillë, por nuk ka asgjë të diskutueshme në të dhe është kritikuar nga ata që as nuk e kanë parë”, tha Selakoviq.
Më 23 shtator, ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë publikoi në Twitter një video të nënshkrimit dhe shkëmbimit të dokumentit të nënshkruar.