Në sfondin e ngjarjeve politike që aktualisht po përshkojnë arealin e Kosovës, profesori universitar në Universitetin e Tiranës, Iliaz Shehu, ka shfrytëzuar llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, për të komentuar zhvillimet aktuale në rajon, me theks të veçantë qasjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës karshi zhvillimeve të fundit, raporton Kosova Post.
Në këtë kuadër, për të përshkruar modusin e kursit të politikës së Ramës, Vuçiqit dhe Abazoviçit, perkatësisht për të ndërtuar një paralele midis treshës respektive dhe Albin Kurtit – profesor Shehu është shërbyer me metaforën e bixhozit, ku nëntekstshëm triadën politike të lartëlakuar i ka cilësuar si kumarxhinjë politikë, transmeton Kosova Post.
Studiuesi filozofise, Shehu, në anën tjetër, ka komentuar edhe lëvizjet politike të Kryeministrit Kurti, për të cilin ka pasë vlerësim superlativ.
Ky është postimi i plotë i tij:
Bixhozi është mania e politikanëve grabitqarë: gjuajnë rastin. Nëse rasti nuk i favorizon, janë të humbur. Projekti i Open Balkan, me Ramën, Vuçiqin dhe maxhordomin e tyre Abazoviç, ishte kurth i bastexhinjve, e lujtën bllofin, por në fund humbën.
Puna është virtyti i politikanëve vizionarë. Albin Kurti ka qenë koherent që në fillim me Procesin e Berlinit. Proces që mund të jetë i avashtë, i mundimshëm, i mërzitshëm, por rezultatin e ka të sigurt: renditje karshi shteteve demokratike.
Vlerat universale demokratike kërkojnë punë, jo vese!