Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka pritur sot në takim ambasadorin e Asutrisë, Georg Schnetzer.
BQK njoftoi se Ismaili ia ka “sqaruar” ambasadorit austriak “aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj”, lidhur me rregulloren e re e cila e përjashton dinarin serb nga përdorimi në vend.
Schnetzer, siç thotë BQK, “u njoftua edhe për planin për zbatimin e kësaj rregulloreje në praktikë”.
Në këtë aspekt, Ambasadori austriak u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore”, thuhet në komunikatë.
Në fund të takimit u theksua se BQK në mënyrë aktive po vazhdon me aktivitete të informimit dhe sensibilizimit, përfshirë lëshimin e linjës pa pagesë të dedikuar për qytetarët tanë dhe materiale tjera informuese, duke ftuar ata që ende nuk kanë llogari të hapin një të tillë te secila bankë, e cila për grupe të cenueshme nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024 me Rregulloren e BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike”, thuhet tutje në komunikatën e BQK-së.
Sipas Bankës Qendrore, gurvernatori dhe ambasadori austriak folën për “nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA”.
Në takim u diskutua edhe “për mbështetjen që shteti austriak po i jep Republikës së Kosovës në proceset integruese, përfshirë këto aspekte lidhur me Sistemin e Kartonit të Gjelbër, Kodin ISO që lidhet me platformat botërore të pagesave dhe procese tjera me rëndësi të veçantë për vendin tonë”, por edhe për “veprimet e ndërmarra ndaj parave të falsifikuara, si deh planet tjera për fuqizimin e integritetit të sistemit financiar, me praktikat më të mira ndërkombëtare”.
BQK thotë se guvernatori “e falënderoi Ambasadorin Schnetzer për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së tij dhe popullit austriak për institucionet dhe popullin e Kosovës”.
Georg Schnetzer është vetëm ambasadori i radhës që shkon për t’u takuar me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismailin. Para tij kishin qenë edhe ambasadori francez, Oliver Guerot dhe ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i cili kërkoi shtyerjen e zbatimit të rregullores së re të BQK-së.