Një sherr i nisur mbrëmë në njërin nga lokalet e Prizrenit ka përfunduar me vrasjen e një 31-vjeçari. Atje dyshohet se u vra shtetasi nga Shqipëria, Visart Cengu. I dyshuari kryesor sipas hetuesisë besohet të jetë kosovari Dibran Hoxhaj i njohur ndryshe si Kobra. Bashkë me Dibranin janë edhe pesë persona të tjerë që po intervistohen nga Policia
Detaje për këtë ngjarje ka dhënë prokurorja e rastit.
Sipas prokurores së rastit Nazan Shero i dyshuari Dibran Hoxhaj bashkë me disa të tjerë po e vazhdojnë intervistimin në stacionin e Policisë në Prizren.
“Jemi në hetime e sipër. Ende nuk kemi asgjë konrete. Të gjitha veprimet hetimore jemi duke i ndërmarrë. Nuk mundem asgjë tjetër me iu konfirmu. Të gjithë ata që kanë qenë prezent, edhe Dibrani edhe të tjerët janë duke u intervistuar. Ekspertiza do të tregojë se si u vra”, ka thënë Shero.
E tutje si pasojë e sherrit që besohet se nisi në lokalin ku besohet se Kobra është pronar, u plagos edhe një person tjetër i moshës 27-vjeçare.
Intervistimi i Kobrës po vazhdon edhe në këto momente në stacionin policor të Prizrenit.
Policia: Intervistimi i disa personave po vazhdon ende
Këtë tha togeri i Prizrenit Shaqir Bytyqi.
“Intervistimi po vazhdon. Pos Dibranit janë edhe disa persona të tjerë që po intervistohen në Stacionin Policor të Prizrenit”, tha Bytyqi.
Si nisi sherri
E nga Policia e Kukësit thanë se si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
“Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, ku pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovar”, thotë zëdhënësja e Policisë së Kuksit, Diana Deda.
Ajo thotë se në momentin kur tashmë viktima e i plagosuri po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi Hoxhaj, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.
“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre. “Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit. Grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thotë Deda.
Kush është Kobra?
Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” është emër i njohur për policinë.
Lëndime të rënda e të lehta trupore, armëmbajtje pa leje, kanosje, dëmtim të pasurisë së huaj, janë disa nga veprat penale, për të cilat Dibran Hoxhaj apo i njohur ndryshe me pseudonimin “Kobra”, është dënuar dhjetëra herë.
Ai në shtator 2022 ishte dorëzuar në polici pas tre ditësh që ishte në kërkim.