Pjesëmarrje masive në ceremoninë e varrimit të profesorit Sabahajdin Cena.
Familjarë të profesorit, përfaqësues e zyrtarë të institucioneve, ish eprorë të UÇK-së, përfaqësues të FSK-së, Policisë së Kosovës, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, kolegë, miq, bashkëpunëtorë dhe qytetarë të shumtë liridashës nga treva të ndryshme, sot pasdite, kanë nderuar me një ceremoni madhështore e i dhanë lamtumirën e fundit, profesorit të nderuar, dr. Sabahajdin Cena.
“Të pikëlluar familjarë të profesorit Sabahajdin Cena, shokë e bashkëluftëtarë, po i japim lamtumirën e fundit njeriut tonë të dahur e të respektuar, i cili na nderoi me qëndrimin e tij gjatë luftës dhe që na la të shkruar shumë histori e kronika”, ka thënë në fjalën e tij kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Ai ka theksuar se e “sollën këtu trupin e njeriut që e ideoi dhe e emërtoi këtë vend si “Kopshti i Dëshmorëve”, pasi këtu prehen ata që i dhanë nder e lavdi këtij vendi, duke e vënë jetën e tyre në shërbim të lirisë”.
“Në këtë kopsht do të prehet bashkë me shokët, me të cilët i ndau istikamet, ndau kafshatën e bukës dhe e ndau fatin e fatkeqësinë e përbashkët, por edhe krenarinë. Kujdesi i tij atëror për të plagosurit, të dëshpëruarit dhe për ata që në çaste të caktuara kishin nevojë për një fjalë inkurajuese, bënë që të jetë i respektuar nga të gjithë luftëtarët e UÇK-së. Lavdi e nderim jetës dhe veprës së profesorit Sabahajdin Cena Lamtumirë i respektuari profesor doktor Sabahajdin Cena”, ka theksuar Latifi.