India shënoi rekord të ri të rasteve ditore me Covid-19 të mërkurën. Pavarësisht gjendjes shqetësuese nga mungesa e oksigjenit dhe masave të rrepta në zonat tjera, mijëra pelegrinë u mblodhën për një festival në brigjet e lumit Gang.
Shteti me mbi një miliard banorë regjistroi 184.372 raste të reja me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 13.9 milionë numrin e përgjithshëm të të infektuarve.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 1.027 të vdekur dhe shifra e përgjithshme e viktimave të pandemisë shkoi në 172.085, shkruan Reuters.
Pavarësisht rekordit, qindra mijëra besimtarë hindus u grumbulluan për t’u larë në lumin Gang të mërkurën, që është dita e tretë e festivalit “Kumbh Mela”.
Sanjay Gunjyal, inspektor i përgjithshëm i policisë në këtë festival, tha se rreth 650 mijë persona janë futur në lumë të mërkurën në mëngjes.
“Njerëzit po gjobiten për mosrespektim të distancës sociale në zonat ku nuk ka grumbuj, por është shumë vështirë të dënohen njerëzit në zonat kryesore të larjes, të cilat janë shumë të mbushura”, tha ai.