Inspektorati dënon ‘Bechtel & Enka’-n për vdekjen e punëtorit të saj

Inspektorati dënon ‘Bechtel & Enka’-n për vdekjen e punëtorit të saj

Janë bërë më shumë se një muaj nga vdekja e punëtorit të “Bechtel & Enka”-s, Tafil Tafallari, gjatë punës në autostradën Prishtinë – Shkup, “Arbën Xhaferi”.

Fiks një muaj pas raportit që paraqet rrjedhën e ngjarjes dhe shkaktarët, Inspektorati i Punës bazuar në këtë raport tashmë ka marrë një vendim ndaj kompanisë “Bechtel & Enka” në lidhje me vdekjen e 41-vjeçarit Tafil Tafallarit.

Inspektorati i Punës sot në bisedë për Ndërtimi.info ka kumtuar se tashmë kanë marrë vendim që kompanisë “Bechtel & Enka” t’i shqiptohet masë ndëshkimore gjobë në vlerë 7 mijë e 500 euro.

Këtë gjobë e ka bërë të ditur për Ndërtimi.info zëvendëskryeinspektori i Punës, Agim Millaku. Ai ka theksuar se kjo masë mund të ndryshojë në shkallën e dytë.

“Inspektori i punës ka dhënë një vendim për shqiptimin e masës ndëshkimore gjobë. Shuma e shqiptuar si gjobë është 7 mijë e 500 euro. Por, kjo nuk është definitive sepse mund të ndryshojë në shkallën e dytë, pastaj është Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit, Gjykata Supreme. Kjo ankimohet deri në përmbarim. Pra, ky është vetëm hapi i parë i inspektorit”, ka treguar Millaku.

Për të ardhur deri te ky vendim Inspektorati i Punës së Kosovës ka kryer procedurat e nevojshme për të gjetur shkaktarët e vdekjes së Tafil Tafallarit dhe ka hartuar një raport përfundimtar të ngjarjes, raporton Ndërtimi.info.

Ky raport thekson rrjedhën e ngjarjes në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, mënyrën e organizimit të punës nga punëdhënësi dhe shkaktarët e vdekjes së punëtorit.

E, në lidhje me këtë raport, kompania “Bechtel & Enka” ka dorëzuar vërejtjet e saj pak para se Inspektorati i Punës të marrë vendimin e tij.

Se kjo kompani kishte vërejtje në lidhje me raportin ka thënë zëdhënësja e saj, Ela Ruçi, në një përgjigje elektronike për Ndërtimi.info.

“BEGP mori Raportin e Inspektoratit të Punës ditën e enjte dhe ka dorëzuar komentet zyrtare në lidhje me aksidentin tragjik. Ne jemi të angazhuar të punojmë me të gjitha institucionet përkatëse dhe kemi dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar. BEGP e konsideron sigurinë e punonjësve të saj si gjënë absolutisht më të rëndësishme”, ka nënvizuar ajo.

Derisa, Ruçi nuk ka treguar se cilat janë vërejtjet e kompanisë që ajo përfaqëson, këtë e ka bërë i dyti i Inspektoratit të Punës, Agim Millaku.

Millaku ka deklaruar se “Bechtel & Enka” ka kundërshtuar vetëm pikën e organizimit të punës, duke u pajtuar me pikat tjera të raportit, edhe me shkaktarët e vdekjes së punëtorit.

“Vërejtjet kryesisht janë të orientuara në çështjen e kundërshtimit të raportit të Inspektoratit të punës në lidhje me organizimin e punës së punëdhënësit në vendin e punës. Në pjesën tjetër si shkaktar i aksidentit të gjeturat e Inspektoratit të Punës përputhen me të gjeturat e punëdhënësit, sepse edhe ai ka bërë një raport. Pra, janë të pajtimit të gjitha ato që inspektori i ka vlerësuar”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, raporti i Inspektoratit të Punës i hartuar më 3 nëntor, kishte gjetur se organizmi i punës nuk ka qenë në nivelin e duhur e i përcjellë mirë dhe punëdhënësi e ka vënë punëtorin në rrezik jete. Në bazë të këtij raporti “Bechtel & Enka” kishte bërë shkelje të disa dispozitave ligjore.

Tafil Tafallari nga Prizreni kishte gjetur vdekjen më 28 tetor gjatë punës në autostradën “Arbën Xhaferi”, saktësisht në fshatin Kovaçec të Kaçanikut.

You may also like

Dyqani palestinez ndalon hyrjen e amerikanëve

Gjatë periudhës së nazizmit ishin tregtarët gjermanë ata