Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet për dyshimet në lidhje me zbulimin e informacioneve për operacionin e ditës së mërkurë që pati Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës.
Nga IPK-ja kanë thënë për Telegrafin se ata kanë nisur një hetim preliminar në lidhje më këto dyshime.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar me dyshimin për zbulim të paautorizuar të informacionit për operacionin policor të datës 13.10.2021, të zhvilluar nga PK-ja në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në përgjigje.
Ndërkaq, gjatë të mërkurës, pas përfundimit të operacionit, në një konferencë për medie, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha që ishin planifikuar të realizoheshin sot gjatë ditës 26 kontrolle ne lokacione të ndryshme, në dy raste të quajtur “Rio” e “Mjekrra”, për të cilat tha se dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit.
Dyshohet se në lidhje me operacionin e sotëm ka pasur rrjedhje të informacionit, drejtori i Policisë jep detaje
“Kjo është diçka që është duke u hetuar”, kishte theksuar Mehmeti.
Në raste tjera në lokacione të ndryshme, siç tha ai, policia e Dogana janë penguar në kryerje të detyrës.
Gjuajtje të drejtpërdrejta me armë zjarri, hedhje e bombolave të gazit, granata luftarake janë përdorur të mërkurën nga grupe kriminale të organizuar në veri të Kosovës për të sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës e Doganës, dhe gazetarët me qëllim që t’i pengojnë në kryerjen e detyrës së tyre.
Tensione pati pas një operacioni të Policisë së Kosovës e Doganës kundër kontrabandës, që u realizua në katër rajone: Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veriore.
Por, në Mitrovicën veriore situata u tensionua shumë, duke lënë kështu 10 policë të lënduar.